E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen rrëmbyesit e malazezëve, mes tyre futbollisti i Besëlidhjes

Lezhë Në kërkim, një i tretë

Policia e Lezhës arreston dy të rinjtë që grabitën dy shtetasit malazezë, mes të cilëve edhe një futbollist të skuadrës së futbollit “Besëlidhja”. Futbollisti Vladimir Nikolli, 30 vjeç, dhe Flori Nikolli, 25 vjeç, janë autorë të dyshuar të grabitjes me maska të dy shtetasve malazezë, ndërsa Ardit Skandaj, 23 vjeç, është shpallur në kërkim policor. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Lezhës bëjnë të ditur se të rinjtë e ndaluar dyshohet se janë autorët e përplasjes me armë me uniformat blu, të ndodhur pasditen e së shtunës në kryqëzimin e Kallmetit, ku mbeti i vrarë 16-vjeçari Armando Skandaj. Operacioni i policisë për kapjen e të kërkuarve për grabitjen me maska u finalizua në orët e para të së dielës. Ndërkaq janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale motori i markës “Honda”, pa targa, me ngjyrë blu, me të cilën autorët kanë kryer vjedhjen dhe që i përket 25-vjeçarit Flori Nikolli. Pasditen e së shtunës, rreth orës 16:30, gjatë një operacioni të uniformave blu për kapjen e Flori Nikollit dhe Ardit Skanaj ka pasur një shkëmbim zjarri. Mjeti me të cilin udhëtonin dy të kërkuarit është përplasur fillimisht me postbllokun e policisë, ku për pasojë është plagosur një efektiv i policisë rrugore e më pas kanë qëlluar me armë zjarri ndaj uniformave blu. Këta të fundit janë kundërpërgjigjur dhe për pasojë ka mbetur i vdekur shtetasi me inicialet A.S, 16 vjeç, i cili ndodhej në makinë me dy autorët e lartpërmendur. Burimet zyrtare të policisë së Lezhës deklarojnë se po punohet për kapjen e 23-vjeçarit Ardit Skandaj dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›