E Diel, 1 Nëntor 2026

Depresioni, vetëvaret babi i tre fëmijëve

Berat

Depresioni është bërë shkak që një 58-vjeçar nga një fshat i Rrethit të Beratit t’i japë fund jetës dje pasdite. Ekspertët e policisë po punojnë për të zbardhur motivet që çuan babain e tre fëmijëve drejt aktit të vetëflijimit. Sulo Turhani, banor i fshatit Hoxhaj, në Komunën Vërtop, mësohet se i ka dhënë fund jetës dje, rreth orës 16:00. 58-vjeçari është gjetur i vetëvarur në banesë nga bashkëshortja dhe çdo përpjekje e saj për ta risjellë në jetë ka qenë e kot. Burime nga fshati Hoxhaj bëjnë me dije se çifti Turhani jetonte vetëm, pas martesës së tre fëmijëve, ndërkohë që kryefamiljari, kohët e fundit, kishte shfaqur probleme të depresionit. Burri mësohet se rrinte vetëm dhe nuk pranonte shoqërinë e bashkëmoshatarëve të tjerë, çka ishte kthyer dhe shqetësim për gruan e tij, e cila ishte e vetmja që i qëndronte pranë. Dje pasdite, 58-vjeçari ka marrë një litar dhe është vetëvarur në një nga dritaret e dhomave të shtëpisë. E alarmuar, gruaja ka kërkuar ndihmën e fqinjëve më të afërt, por çdo përpjekje ka qenë e kot, pasi burri mësohet se kishte ndërruar jetë. Drejt vendit të ngjarjes në fshatin në dalje të Beratit mësohet se kanë mbërritur menjëherë ekspertë të policisë dhe mjeku ligjor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e Turhanit, e shkaktuar me anë të varjes, ndërkohë që ekspertët e organit blu kanë nisur hetimet për të mësuar shkaqet e plota që shtynë burrin t’i jepte fund jetës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›