Kanali vaditës dëmton rrugën nacionale
Rruga nacionale Burrel-Milot, në afërsi të fshatit Bushkash, është dëmtuar rëndë, për shkak të shpërthimit të ujit poshtë asfaltit. Shkak është bërë çarja e tubacionit të kanalit vaditës të fshatit Bushkash. Gjatësia e segmentit të dëmtuar shkon në rreth 50 metra. Drejtuesit e mjeteve që kalojnë në këtë rrugë ankohen jo vetëm për dëmtimin e makinave, por edhe për faktin se ky segment rrugor mund të kthehet edhe në burim aksidentesh, sidomos gjatë udhëtimit natën, kur drejtuesit nuk kanë dijeni për këtë dëmtim. Segmenti rrugor është pjesë e rrugës nacionale të sapo rikonstruktuar, por ende pa u dorëzuar nga firma tenderuese, kjo pjesë rruge është shkatërruar plotësisht. Mësohet se firma tenderuese e ka asfaltuar këtë segment të rrugës pa riparuar defektin e rrjedhjes së ujit nga tubacioni i kanalit vaditës që kalon poshtë rrugës. Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve në Dibër, Durim Balla, riparimi i segmentit rrugor duhet të realizohet nga Bordi i Kullimit të Tokave Burrel, pasi dëmtimi i rrugës ka ardhur nga një defekt i ndodhur në tubacionin e kanalit vaditës që ka sjellë edhe prishjen e rrugës. “Ky defekt duhet riparuar fillimisht në tubacionin e kanalit, pastaj mund të ndërhyjmë ne si Drejtori e Rrugëve”, thotë drejtori Balla.
#