E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda, pesë në pranga për drogë e prostitucion

Tre të ndaluar përdhunuan disa vajza, mes tyre edhe një e mitur, dy të tjerë trafikuan hashash

Pesë persona kanë rënë në pranga në 48 orët e fundit me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të akuzuar për trafik droge dhe prostitucion. është arritur të parandalohet trafikimi i disa vajzave për prostitucion në Kosovë, mes tyre edhe një e mitur, ndërsa nga ana tjetër janë arrestuar dy persona të kapur në flagrancë teksa po trafikonin lëndë narkotike. Lajmi bëhet i ditur nga akuza qendrore, sipas së cilës, për akuzën e “trafikut të femrave me qëllim prostitucioni” janë arrestuar shtetasit Zylyftar Tare, Agron Sinani dhe Ilir Saraçi, ndërsa për akuzën e trafikut të narkotikëve janë arrestuar shtetasit Andrea Gjergji dhe Armando Alushaj. Sipas burimeve hetimore, operacioni për grupin e trafikut të narkotikëve vazhdon ende.

Prostitucioni

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka urdhëruar ndalimin e shtetasve Zylyftar Tare, Agron Sinani dhe Ilir Saraçi, nën akuzën e “trafikut të femrave për qëllime prostitucioni” dhe “marrëdhënieve seksuale me dhunë”. Burimet nga akuza qendrore thanë se këta shtetas, në bashkëpunim edhe me dy persona, kanë mbajtur për tetë ditë me radhë të izoluara në një lokal në kryeqytet tri vajza, mes tyre edhe një e mitur. Hetimet janë kryesuar nga prokurorja Elisabeta Imeraj dhe gjatë koordinimit të veprimeve me policinë është bërë identifikimi i vendit ku mbaheshin vajzat, si dhe parandalimi i trafikimit të tyre drejt shtetit të Kosovës. Sipas hetimeve, Tare, Sinani dhe Saraçi, gjatë këtij harku kohor, kanë ushtruar edhe marrëdhënie seksuale me dhunë me vajzat që i kanë mbajtur peng dhe kanë tentuar t’i trafikonin për prostitucion. Vajzat janë mbajtur në një lokal në Tiranë, në afërsi të Shkollës së Bashkuar. Mësohet se dy vajza janë nga Rrethi i Elbasanit, mes tyre edhe një e mitur, kurse një vajzë është nga qyteti i Lezhës. Tashmë personat do të akuzohen edhe për kryerje të marrëdhënieve seksuale me të mitura, një vepër që parashikon mbi dhjetë vjet burg.

Droga

Krahas operacionit për ndalimin e tre personave të akuzuar për prostitucion, Krimet e Rënda kanë urdhëruar ndalimin e disa personave që kryenin aktivitetin e paligjshëm të trafikut të narkotikëve. Operacioni ka filluar dy ditë më parë dhe po vazhdon nga Policia e Shtetit për arrestimin e tyre, ndërsa paraprakisht mësohet se janë ndaluar shtetasit Andrea Gjergji nga Shkodra dhe Armando Alushaj nga Fieri. Ndalimi i tyre është bërë me urdhër nga Gjykata e Krimeve të Rënda, nën akuzën e “trafikut të lëndëve narkotike” në bashkëpunim. Mësohet se Gjergji dhe Alushaj kanë trafikuar drejt vendeve perëndimore lëndë narkotike hashash në disa raste të dokumentuara nga hetuesit e çështjes, ndërsa detajet e plota të operacionit do të bëhen publike pas përfundimit të tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›