E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e biznesmenit, ende mister për policinë

Vlorë Merren në pyetje nëntë persona. Punohet në disa pista hetimi

Ndonëse kanë kaluar katër ditë nga ekzekutimi i biznesmenit vlonjat, Kaçadon Shehaj, Policia e Vlorës ende nuk ka ndonjë pistë konkrete hetimi apo të ndaluar për ngjarjen. Grupi hetimor pohon se po punohet në disa pista, por pa përcaktuar asgjë konkrete. Dje janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nëntë persona, të cilët janë mbajtur për rreth katër orë dhe më pas janë lënë sërish të lirë. Gjithsesi, hetimet janë shumë larg identifikimit të autorit, apo autorëve të vrasjes së ndërtuesit Kaçadon Shehaj, babai i dy fëmijëve. Burime nga Policia e Vlorës bëjnë me dije për “Shqip” se nga banorët e lagjes së Ujit të Ftohtë ku banonte biznesmeni, nuk është mundur të merret ndonjë detaj që të ndihmohet për zbardhjen e ngjarjes. Ata janë shprehur se natën e vrasjes nuk kanë parë asnjë person të dyshimtë dhe se 37-vjeçari ishte një djalë i rregullt dhe i qetë. Ndërkaq familjarët e të riut të ekzekutuar kanë dëshmuar në polici se nuk kanë pasur dijeni për ndonjë mosmarrëveshje të mundshme në punën e ndërtimit, apo dhe për jetën private. Nga ana tjetër, policia nuk ka mundur të gjejë gjurmë të armës me të cilën u qëllua, ndonëse ka bërë krehjen e së gjithë zonës ku ndodhi vrasja. Kaçadon Shehaj u ekzekutua me shtatë plumba pak pas mesnatës së të enjtes pranë shtëpisë së tij. Biznesmeni i ndërtimit u qëllua nga autorë ende të paidentifikuar nga policia, teksa tentonte të mbyllte derën e garazhit të tij. Ai kishte parkuar makinën dhe teksa ishte afruar derës së garazhit, është qëlluar në errësirë. Trupi i pajetë është gjetur vetëm pas disa minutash nga mbërritja e uniformave blu. Kaçadon Shehaj, lindur në fshatin Gumenicë të Vlorës, jetonte prej disa vitesh në qytetin bregdetar. Ai merrej me ndërtime dhe nuk njihej si njeri problematik. Pak muaj më parë, ai është proceduar për vjedhje makinash, por pas disa javësh ndalimi, është lënë i lirë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›