Gjeorgji-Rusi, raportime kontradiktore për paktin
Ndërsa dje ishte afati i fundit i tërheqjes së trupave ruse nga territori Gjeorgjian, raportimet për respektimin e paktit janë kontradiktore. Rusia thotë se tërheqja e trupave të saj luftarake nga Gjeorgjia shkoi sipas planit dhe se nuk ka pasur nevojë t’i përshpejtojë ritmet e tërheqjes. Ndërsa Pentagoni thotë se sipas vëzhguesve të tij në terren dhe sipas raportimeve nga autoritetet gjeorgjiane, realizimi i tërheqjes brenda afatit do të ishte i pamundur. Moska ka pasur kohë deri mbrëmë për t’u tërhequr në një pjesë territori, që ajo e quan zonë sigurie në Gjeorgji, përreth rajoneve të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë. Në këto territore Rusia ka planifikuar të vendosë një prani të përhershme paqeruajtësish, me rreth 2 mijë trupa. Kjo shifër është katërfishuar krahasuar me atë që ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov njoftoi një ditë më parë. “Të premten do të vendosim 8 postblloqe në zonën e sigurisë në të cilën do të dislokohen 500 paqeruajtës”, ka deklaruar Lavrov për gazetarët ditën e enjte. Ndërkohë, Gjeorgjia thotë se nuk do të pranojë asnjë aneksim të territorit të saj nga Rusia. Gjenerali rus, Anatoly Nogovitsyn tha se dje, tërheqja e të gjitha trupave luftarake po shkonte sipas planit, i cili do të bënte të mundur tërheqjen deri në fund të 22 gushtit. “Ne nuk do ta korrigjojmë këtë plan, apo të shtojmë shpejtësinë e tërheqjes”, tha ai. Ndërkohë autokolona ruse janë parë në hyjnë në Abkhazi. Gjenerali Nogovitsyn tha se trupat ruse po ngrinin postblloqe në kufijtë e Osetisë Jugore dhe Abkhazisë me Gjeorgjinë. Komandanti i forcave ushtarake amerikane në Evropë, gjenerali Xhon Kradok, tha se tërheqja e Rusisë po merrte shumë kohë. “Po lëvizin me ritmet e kërmillit”, tha ai. Nëse fjala e Presidentit rus, Medvedev, mbi tërheqjen e trupave është respektuar, do të vërtetohet vetëm sot, kur palët të bëjnë deklaratat zyrtare mbi situatën në terren.
Vetot bllokojnë Këshillin e Sigurimit
Rusia dhe SHBA po përballen me përdorimin e vetos në Këshillin e Sigurimit, për rezolutat kontradiktore mbi pikat e armëpushimit në Gjeorgji. Pika kyçe pengesë e mosmiratimit të rezolutave është integriteti territorial i Gjeorgjisë. Në rezolutën e paraqitur nga Franca dhe refuzuar nga Rusia, vlerësohet respektimi i integritetit territorial të Gjeorgjisë, përfshirë edhe republikat separatiste. Në rezolutën e Rusisë kërkohet shqyrtimi i statusit të republikave separatiste të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë, por për këtë rezolutë SHBA ka përgatitur veton.