E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama mban mister zëvendëspresidentin

Gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara është ndezur, ndërsa pritet që kandidati demokrat, Barak Obama dhe ai republikan Xhon Mekein të deklarojnë emrat e zëvendëspresidentit që do të ecë ‘krah për krah’ me ta, në zgjedhjet e mëdha të 4 nëntorit. 

Sondazhet kanë nisur punën dhe pothuajse pjesa më madhe e tyre tregojnë përparësi për senatorin nga Illinois, Barak Obama, me 3 deri më 5 pikë avantazh. Mekein duket se fituar preferencën e votuesve, sipas sondazheve, vetëm në disa shtete me frymë pro republikane tradicionale. Ndërsa opsionet e Xhon Mekein për zëvendëspresidentin kanë qenë të qarta, dhe pritet vetëm emri zyrtar, Obama ka preferuar të mbetet misterioz në kandidaturat e tij, ai ka deklaruar vetëm dje se e ka zgjedhur emrin e zëvendës presidentit, por nuk e ka bërë publik emrin. Obama tha se informacioni i vetëm që mund të japë për mediat mbi kandidaturën e tij është se, zëvendësi do të jetë nga të pavarurit dhe ekspert ekonomie. Rivalja e fortë që kandidoi deri në fund me Obamën për të fituar garën mes demokratëve për emrin, që do të shpallet kandidatura finale për Shtëpinë e Bardhë, Hilari Klinton, tashmë po lobon për Obamën në të gjithë vendet ku ka mbështetës. Ajo i ka kërkuar mbështetësve të saj ta votojnë Obamën për faktin, se ka energji dhe vendosmëri për të bërë ndryshime dhe se Shtëpia e Bardhë duhet të ketë një president demokrat tashmë, duke kujtuar një sërë dështimesh të presidencës së Bushit. “Besoj me vendosmëri se mënyra më e mirë për të luftuar dhe fituar është zgjedhja e Barak Obamës si presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara. E kam parë pasionin dhe vendosmërinë e Obamës. Ai e ka jetuar ëndrrën amerikane. Ai tani do të sigurohet se ajo ëndërr është aty për ne”, tha Klinton gjatë një fjalimi në Florida para mbështetësve të saj, një fjalim që Obama e vlerësoi si mjaft frymëzues. Ndërsa ditët e fundit gjërat nuk duket se kanë shkuar mirë për Xhon Mekein. Senatori Mekein, në një intervistë me agjencinë e lajmeve “Politico” pak ditë më parë, nuk mbante mend sa ishte numri i shtëpive që zotëronte. Sipas rrjetit “ABC World News”, Obama dhe demokratët ndjenë një pikë të fortë sulmi. Ata po e përdorin këtë për ta portretizuar Mekein si jashtë realitetit. Obama tha, “Nëse nuk e dini se sa shtëpi keni ju vetë, atëherë nuk është çudi që mendoni se ekonomia amerikane aktualisht është e fortë, por nëse ju do të ishit si unë, dhe do të kishit një shtëpi, apo si miliona njerëzit që luftojnë me urinë apo për të mos e humbur shtëpinë e tyre, ju mund të kishit një perspektivë ndryshe”. Por se si do të shkojë presidenca amerikane do të shihet vetëm pas zgjedhjeve të 4 nëntorit. Sipas mediave, kandidatët për zëvendëspresident të Obamës mund të jenë, Hilari Klinton, zërat janë rritur për Senatorin Joe Biden i Delauare, i cili përshtatet për sigurinë kombëtare. Emra të tjerë të përmendur në media për Obamën janë senatori Evan Bayh i Indianës dhe guvernatori Tim Kaine nga Virxhinia. Edhe guvernatori Kathleen Sebelius nga Kansas, flitet si mundësi. Deklaratën për emrin Obama pritet ta bëjë sot në Springsfilld, ku edhe nisi fushatën. Ndërsa Mekein po merr në konsideratë emra si ish-guvernatori Tom Ridge nga Pensilvania, aktualisht këshilltar i kryeministrit Berisha. “Çdokush do të dëshironte të ishte zëvendëspresident”, ka deklaruar Ridge për CNN. Përveç Ridge, Mekein ka në konsideratë guvernatorin Tim Paulenty nga Minesota dhe ish-guvernatorin Mitt Romney nga Masaçusets.

Evakuohen zyrat e kandidatit Mekein
Dy letra të dyshimta, një me pluhur të bardhë, janë dorëzuar në dy zyra të fushatës së senatorit Xhon Mekein. Një letër mbërriti në Kolorado dhe një tjetër në zyrën në Nju Hempshajër. Të dy zyrat janë evakuuar, menjëherë pas mbërritjes së letrave të dyshimta me pluhur të paidentifikuar. Sipas policisë amerikane, e cila mori menjëherë në shqyrtim situatën dhe bëri analizat, letrat nuk ishin të rrezikshme. “Nuk kemi gjetur asgjë të rrezikshme në testet fillestare që i kemi bërë. Nuk kemi raporte të jetë sëmurur dikush. Megjithatë, kemi futur në karantinë 12 persona, të cilët qenë ekspozuar ndaj këtij pluhuri”, tha zëdhënësi i ekipit të zjarrfikësve në Denver Andy Lion. Sipas policisë, letra me pluhur të bardhë përmbante proteina. Disa njerëz nga zyrat janë shtruar në spitalet aty pranë, për të zhvilluar kontrollet e nevojshme se mos letrat e dyshuara përmbanin viruse të rrezikshme. Por pas analizave çdo gjë rezultoi në rregull. Ata nuk kishin marrë asnjë lloj virusi, për vetë faktin se letrat nuk përmbanin viruse. Policia po heton se kush mund të jetë burimi i letrave që vunë alarmin në zyrat e kandidatit republikan për presidencën amerikane.

Media: Hilari, zëvendëspresidentja e Obamës 

“The Daily News” ka cituar emrin e senatores Hilari Klinton, si kandidatura më e mirë për zëvendëspresidencën në garën presidenciale të Barak Obamës. “The News” pranon se mbi këtë opsion ka edhe dyshime, por Obama do të përfitonte nga emri i saj për të tërhequr votat e miliona mbështetësve të Hilari Klinton. Ish-zonja e parë e Shteteve të Bashkuara tashmë ka deklaruar mbështetjen e saj për senatorin Obama, por mbështetësit e saj kanë dyshimet e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›