Analiza në PD, Patozi: Zyrtarët që rrezikojnë postet
Qetësia iu trazua për shkak të një thashethemi mediatik, “Made in Albania”. Padrejtësisht dhe në mënyrë abuzive ndërhynë në jetën e tij personale, duke shpifur në mënyrën më të ulët të mundshme. Por shpifja nuk mundi ta shpërqendronte nga angazhimet e përditshme politike, sepse Astrit Patozi ka shumë punë për të bërë. Është një prej figurave qendrore të PD-së dhe përgjegjësitë janë të dyfishta. Demokratët janë në prag-zgjedhjet brenda llojit dhe në këtë intervistë për “standard” nënkryetari i PD-së dhe kryetari i grupit parlamentar, z. Astrit Patozi, tregon se si PD-ja po shfrytëzon momentin deri në zgjedhjet e reja të 12 dhjetorit. Ai flet për një analizë të hollësishme të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, teksa bën të qartë se përgjegjësit e humbjeve në qarqe duhet të ikin dhe ata që fituan, duhet të marrin meritat që u takojnë. Kjo, përmes zgjedhjeve në kuvendin e ri të PD-së. Z. Patozi ka një ide të qartë se cila duhet të jetë fytyra e re e lidershipit të PD-së, duke kthyer sytë tek elita e grupit parlamentar, për t’i bërë ata pjesë të ekipit të ri që do të drejtojë partinë përgjatë 4 viteve që vijnë. Funksionari i lartë demokrat analizon situatën politike dhe jetën parlamentare pa opozitën në Kuvend. Ai i referohet ligjit i cili i përforcon bindjen se shumë shpejt do të marrë fund pritja e PD-së për kthimin e opozitës në Kuvend, duke përmendur zëvendësimin e 65 mandateve të PS-së. Z. Patozi ndalet edhe tek bashkëqeverisja me LSI-në, e cila, sipas tij, po funksion shumë mirë, por pa pretenduar perfeksionin...
Bisedoi: Valentina Madani
Z. Patozi, duket sikur keni rënë moralisht, për shkak të thashethemit të “Bluetooth” ndaj personit tuaj, duke ndërhyrë në jetën private. Kaq shumë ju ka shqetësuar?
Ajo që mund t’ju them me pak fjalë, është se këto ditë jam më i qetë dhe më i përqendruar se kurrë ndonjëherë në përgjegjësitë dhe funksionet e mia publike. Mund ta mësoni një herë e përgjithmonë se jeta ime private dhe publike si dhe aktiviteti im politik nuk mund të lidhet dhe as mund të cenohet nga asnjë person apo grup personash, të grupuar ose jo qofshin ata, një ose më shumë gazeta apo televizione paçin në pronësi ata e aq më pak nga disa radhë të mjera në “Bluetooth”. Në rast se dikush mendon të kundërtën, ai gabohet rëndë dhe unë jam i detyruar t’ia provoj.
Ia vlente reagimi në këtë rast?
Realisht kjo është një temë e ezauruar për mua, me përgjigjen shteruese që kam dhënë të nesërmen e botimit të trillimeve të “Bluetooth”-it. Për të qenë i sinqertë, kam pasur një mëdyshje të lehtë, nëse ia vlente apo jo një reagim për një shpifje të ulët që një gazetë e Tiranës i kishte lejuar vetes të botonte në faqet e saj. Kam vendosur të përgënjeshtroj, duke mos konsideruar për asnjë çast personazhet që e stisën dhe porositën gënjeshtrën, por vetëm publikun. E ritheksoj, ishte një sulm i ulët që bëhej jo thjesht ndaj jetës së personit, por ndaj aktivitetit të tij publik, ndaj edhe mbajta qëndrimin tim, të cilit edhe po të kalojnë 1000 vjet, nuk kam ndërmend t’i heq asnjë presje. Ka qenë një agresion i pastër politik që thjesht dhe vetëm lidhet me funksionet e mia.
Në fakt, Kryeministri Berisha ka deklaruar se kjo mazhorancë dhe qeveria e saj nuk do të bëjë asnjë padi penale ndaj gazetarëve, ndërkohë që ju tashmë keni paditur “Gazetën shqiptare”. E ndërmorët këtë vendim, sepse kjo ka të bëjë me jetën tuaj private dhe jo atë partiake?
Nuk do të ketë një padi penale dhe nuk do të ndëshkohet asnjë gazetar. Në këtë rast, unë jo thjesht jam në rregull me një vendim politik të mazhorancës, ku bëj pjesë, por në radhë të parë jam i qetë me veten time. Do të nis një padi civile në gjykatë për të kërkuar dënimin e mashtrueses apo shpifësve, duke qenë i bindur se asnjëri prej tyre nuk është gazetar. Edhe në rast se dikush mund të qëllojë të firmosë në bordero si i tillë, drejtësia dhe publiku duhet ta dinë se ai, ajo apo ata nuk kanë asnjë lidhje me parimet e shenjta të një shtypi të lirë. Në rastin më të keq, do të doja që disa prej tyre gjykata t’i detyronte të tregonin “shokët”, të cilët sigurisht nuk punojnë në gazeta e televizione, por bredhin me kalë lëmenjve të politikës. Dhe vetëm atëherë, do t’ua falja me shumë zemërgjerësi, jo vetëm guximin për të shpifur, por edhe dëmshpërblimin që do të vendosë gjykata.
Megjithatë, besoj se kjo çështje s’e ka zbehur angazhimin tuaj politik, pasi shoh oborrin dhe zyrat e PD-së të boshatisura, njësoj si 4 vitet që kaluan, ndërsa ju punoni në zyrë. Pse sërish kjo braktisje?
Oborri i PD-së as nuk ka qenë dhe as nuk do të mbetet kurrë bosh, të paktën e them me bindje se do të vlejë edhe për një kohë relativisht shumë të gjatë. PD-ja është një shtëpi e madhe, e cila nuk ka qenë kurrë pa njerëz, edhe në kohërat më të vështira të pozitës, por ndërkohë ju mos prisni që një parti qeverisëse, kapacitetet apo potencialet e saj t’i ketë të përqendruara tek zyrat e partisë. Sigurisht që të gjitha energjitë dhe burimet njerëzore më cilësore tonat i kemi potencuar në qeverisje dhe kjo në mënyrën më të mirë të mundshme. Pra, PD-ja nuk ka qenë kurrë e braktisur në këta 4 vjet dhe nuk do të jetë e tillë asnjëherë, dhe kjo nuk vlen vetëm për 4 vitet e ardhshme. Ne jemi në fazën finale të përmbylljes së zgjedhjeve të brendshme në PD. Janë zhvilluar zgjedhjet në të gjitha degët dhe ka mbetur vetëm momenti final, që është kongresi i partisë.
Dhe si po e shfrytëzoni periudhën e prag-zgjedhjeve të 12 dhjetorit? A ka filluar procesi i analizës së brendshme të PD-së?
Këtë periudhë deri në mbajtjen e kongresit ne po e shfrytëzojmë jo vetëm për zgjedhjen e delegatëve të cilët kanë rëndësinë e duhur, por edhe për të bërë një analizë se si ka funksionuar partia në këta 4 vjet. Sidomos për mënyrën se si ajo ka funksionuar për kohën gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Kjo është një analizë serioze, e cila po bëhet në të gjitha hallkat e PD-së, që nga seksionet e deri tek nivelet e tjera, dhe është një proces që do të përfundojë me kuvendet që do të mbahen në çdo degë, të cilat jo vetëm që do të zgjedhin delegatët, por do të bëjnë edhe një rezyme të analizave të çdo strukture. Kjo, në mënyrë që PD-ja të lexojë siç duhet rezultatin e 28 qershorit dhe të përshtatë dhe të ndreqë të gjithë ato gabime që mund të jenë vënë re gjatë katër viteve që shkuan dhe zgjedhjeve që lamë pas.
Priten shumë befasi?
Ne jemi brenda një normaliteti demokratik dhe nuk besoj se dikush duhet të presë ndonjë befasi apo çudi, qoftë në analiza apo qoftë dhe në fazën përmbyllëse të zgjedhjeve. Kjo, sepse mbi të gjitha ne jemi një parti fituese dhe po shkojmë në një kongres, i cili në njëfarë mënyre është një lloj feste, për shkak se ne vijmë në këtë datë të shënuar për PD-në, duke qenë fitues të zgjedhjeve të 28 qershorit, të rimandatuar edhe për 4 vitet që vijnë.
Në ç’mënyrë do të bëhet leximi i votës së 28 qershorit?
Analiza i përfshin të gjitha. Konkluzionet e analizave do të jenë që PD-ja është një parti fituese dhe sigurisht mund të ketë struktura apo pjesë të aulave të partisë që mund të kishin funksionuar më mirë gjatë këtyre zgjedhjeve. Sigurisht që ne kemi të gjithë predispozitën dhe detyrimin që të ndërhyjmë aty ku ka pasur probleme dhe rezultatet nuk kanë qenë ato që priteshin.
Mund të prekë dhe individë kjo ndërhyrje që ju përmendni?
Sigurisht që mund të prekë edhe individë, mund të prekë edhe hallka të caktuara të partisë deri kongresin e 12 dhjetorit.
Edhe drejtuesit e lartë të PD-së?
Unë nuk mund të flas sot për atë që do të ndodhë në kongres. Ky është forumi më i lartë i PD-së, i cili ka atributet e veta dhe mbi të gjitha sovranitetin e vet për të zgjedhur lidershipin e ri të partisë, kryetarin dhe Këshillin Kombëtar. Dhe pastaj prej këtyre dy institucioneve do të derivojnë të gjitha hallkat e tjera të drejtimit të ardhshëm të PD-së për një periudhë katërvjeçare.
Cila është skema e re e sekretariatit të PD-së? Do të shtohen sekretarët e partisë?
Më vjen pak keq që nuk mund t’ua përmbush kërshërinë tuaj, pasi edhe ky moment është një atribut ekskluziv i kuvendit të PD-së. Pra, në rast se do të ketë ndryshime statutore, do të jetë Kuvendi Kombëtar ai që do të vendosë. Deri tani mund të thuhet se ka një komision për ndryshimet e statutit, por nuk besoj që PD-ja (ky është mendimi im personal), ka nevojë për ndryshime rrënjësore në statut për shkak se ne kemi një statut të mirë. Është një statut i cili në njëfarë mënyre ka bërë përgjithësisht, të gjitha instrumentet e PD-së dhe kapacitetet e saj të funksionojnë jo keq, përderisa kanë arritur që të na nxjerrin sërish fitues.
Ju thoni jo ndryshime rrënjësore në statut, por besoj se të paktën do të ketë një përshtatje?
Po, sigurisht ky statut ka nevojë për përshtatje, madje ka nevojë emergjente për përshtatje, sepse ne kemi hyrë në zgjedhje duke ndryshuar sistemin elektoral dhe ndryshimi i sistemit na detyroi që të ndryshonim edhe mënyrën e funksionimit të disa strukturave të PD-së. Ne përshtatëm p.sh. kalimin nga nëndegët në grup-seksione dhe sigurisht këto ndryshime thelbësore duhet të materializohen edhe në statutin e partisë.
ǒdo të bëhet me njësimin e posteve ekzekutive dhe ato partiake? Duhet të ndahen edhe ato të nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm?
Ka pasur një debat që duhet të përjashtohen funksionet ekzekutive nga ato partiake. Sigurisht edhe ky është një atribut i kongresit, por mendimi im është që ne nuk kemi nevojë për ndryshime të tilla drastike dhe se ato janë të pambështetura politikisht.
Pse, ma argumentoni këtë?
Unë gjykoj se trupa ekzekutive e PD-së është sekretariati dhe shumë pozicione në sekretariatin e partisë nuk do të ishte e udhës që personat e zgjedhur të mbanin edhe funksione ekzekutive për vetë dinamikën e punës së tyre. Këtu mund të them p.sh. sekretari organizativ, sekretari për zgjedhjet, për burimet njerëzore, organizatat partnere apo edhe pozicione të tjera. Pra, në përgjithësi, sekretariati, që është trupa ekzekutive e partisë, duhet të jetë në njëfarë mënyre funksionale brenda selisë, duke mos pasur ngarkesa të tjera ekzekutive, kurse për pjesën tjetër mendoj se jemi absolutisht të ekzagjeruar nëse do të hyjmë më thellë, sepse thelbi i parimit politik është që nga hierarkia partiake përcaktohen pozicionet qeverisëse, në rast se një forcë politike vjen në pushtet, dhe jo e kundërta. Pra, ne nuk mundemi që ta kthejmë përmbys ekuacionin, që postet në qeveri të përcaktojnë kupolën e partisë, sepse nuk do të ishte e natyrshme dhe logjike.
Flisni kështu ngaqë nuk keni konflikt interesi?
Unë që e them këtë, jam jashtë çdo konfliktit interesi, sepse ju e dini që nuk kam pasur dhe nuk kam aktualisht asnjë pozicion ekzekutiv, por po flasim për parimin. Është njësoj si të thuash se një deputet nuk mund të jetë ministër, sepse do të ngarkohej dhe se Parlamenti duhet të jetë i shkëputur nga qeveria, gjë që do të ishte teprim i panevojshëm dhe i paarsyeshëm. Dhe mbi të gjitha një realitet jashtë çdo përfytyrimi që nuk ka ndodhur kurrë as në Shqipëri dhe as gjetkë.
Dhe kush duhet të jetë fytyra e re e lidershipit të PD-së?
Grupi parlamentar i PD-së është një nga trupat më përfaqësuese politike të partisë dhe sigurisht personazhet e tij mos u çudisni po t’i shikoni në majën më të lartë të drejtimit të strukturave të reja të PD-së. Dhe kjo është ligjësi e përbotshme, që nuk vlen vetëm për PD-në, por vlen për çdo parti tjetër simotër në Evropën e Bashkuar dhe më gjerë.
Ju e keni fjalën për deputetët e rinj të PD-së apo për qëndrestarët?
Unë nuk i ndaj deputetët në të rinj dhe në të vjetër, por i klasifikoj në deputetë cilësorë dhe deputetë që duhet të bëjnë shumë për performancën e tyre, gjithmonë në raport me detyrimin e tyre ndaj zgjedhësve, por edhe ndaj forcës politike që u ka dhënë besimin për t’i kandiduar.
Ju do të rikandidoni për postin e nënkryetarit të PD-së që me statut të saj keni të njësuar edhe postin e kryetarit të grupit parlamentar?
Ky është një vendim që nuk më përket vetëm mua, por tek e fundit është një vendim që unë sigurisht do ta marr në kohën e duhur. Ajo që mund të them tani me siguri, është fakti se ndihem komod dhe i plotësuar në pozicionin që kam, në përgjegjësitë dhe përkushtimin tim ndaj funksioneve që ushtroj prej më shumë se dy vjetësh si kryetar i grupit parlamentar dhe nënkryetar i PD-së.
Po sekretari i përgjithshëm? Ka zëra që do të ndryshojë në kongres dhe se z. Bode mund të tërhiqet nga pozicioni i tij që e mban prej shumë vitesh?
Kjo nuk është një pyetje që më takon mua të përgjigjem, por meqë po më pyesni, po ju them se ky është një lajm që e dëgjoj për herë të parë dhe nuk jam i painformuar për zhvillimet e brendshme të PD-së. Ajo që unë di me siguri apo ajo që unë pres nga 12 dhjetori, është fakti se në njëfarë mënyre kongresi do të vlerësojë lidershipin që e çoi PD-në drejt fitores së zgjedhjeve të 28 qershorit, duke filluar me kryetarin e saj dhe pastaj me radhë, meritën apo përgjegjësinë, sipas hierarkisë politike. Dhe të gjithë e dini që sekretari i përgjithshëm është personaliteti i dytë pas kryetarit, që mban përgjegjësi për funksionimin dhe aksionet politike të partisë.
Cila është lidhja konkrete e funksioneve të ardhshme të drejtuesve aktualë të PD-së me atë të rezultatit të 28 qershorit?
PD-ja është parti kombëtare, nuk është parti e vogël apo e fokusuar në njërën apo në disa pjesë të territorit. Pra, është partia më e madhe në Shqipëri, është partia qeverisëse, e cila kur ka hyrë në garën elektorale të 28 qershorit, nuk ka pasur parasysh as një komunë, as një bashki apo qoftë dhe një zonë elektorale. Ka pasur një betejë elektorale me PS-në për të fituar apo humbur zgjedhjet dhe ne i kemi fituar ato. Dhe për çdo drejtues të lartë të PD-së, në rast se do të lexohet vërtet rezultati, duhet që të shikohet parimi që ata përpara sesa të kenë qenë deputetë të një liste në një zonë të caktuar elektorale, në këtë rast në qark, ai ka pasur meritë apo përgjegjësi për rezultatin e përgjithshëm në rang kombëtar.
Që do të thotë?
Kjo do të thotë që në rast se ne kërkojmë përgjegjësinë tek politikanët, po ashtu duhet të kërkojmë edhe meritën kur kemi të bëjmë me rezultat suksesi në fitore. Pra, gjykoj se kjo nuk është marrë në analizën e çdo segmenti, strukture, në bazë rrethi, qarku apo komune, por sigurisht në finale parimi është që PD-ja ka arritur një fitore në rang kombëtar. Ka një paradoks të madh në Shqipëri për leximin e zgjedhjeve të fundit dhe kjo bëhet qëllimisht, kryesisht nga ata që nuk duan të njohin rezultatin. Tek humbësit kërkohet merita (në këtë rast e Edi Ramës) dhe tek fituesit kërkohet përgjegjësia. Kjo sigurisht që është më shumë se qesharake dhe me ketë nuk dua të mohoj asnjë lloj përgjegjësie, që secili prej nesh mund të ketë, qoftë edhe për mungesën e një vote të vetme pro PD-së apo koalicionit tonë më 28 qershor.
Mirëpo për shkak të rivalitetit të brendshëm, i druhet lidershipi i PD-së faktit se mund të dalin në pah grupime klanore për një luftë të ashpër për pushtet?
Në PD ka një debat të brendshëm permanent. Ka rivalitete që janë absolutisht një nga gjërat më të natyrshme që mbajnë gjallë jetën politike në përgjithësi, por dhe jetën e një partie në veçanti. Por e rëndësishme është që këto rivalitete nuk kalojnë as në klane të shkëputura nga njëra-tjetra, për shkak të interesave meskine dhe as në një luftë të egër brenda llojit, të cilat sigurisht që do të krijonin frakturat e veta dhe do të jepnin efekte negative në funksionimin e partisë. Dhe çfarë është më e keqja, kjo mund do të përthyhej në funksionimin jonormal të qeverisjes. Kjo fatmirësisht nuk ka ndodhur dhe ju siguroj se ata që shohin ëndrra me përleshje në PD apo skena të ngjashme me ato të KPD-ve socialiste në mbledhjet e forumeve tona, në rastin më të keq, do t’u duhet të presin shumë gjatë ose në rastin më të mirë, do t’u shkojë e gjithë jeta duke pritur. Pra, ajo që mund të them në përfundim, është fakti se rivaliteti dhe debati i brendshëm në parti nuk e cenojnë aspak kohezionin dhe përgjegjësinë në të cilën drejtuesit e lartë, politikanët e rëndësishëm, dhe personalitetet e tjera të PD-së e trajtojnë funksionin e tyre politik dhe publik.
Një PD me Sali Berishën në krye po ecën në drejtimin e duhur politik?
PD-ja ka arritur që të jetë fituese e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe merita për këtë fitore fillon nga kryetari i saj, nga lideri i saj dhe pastaj duke ndjekur rendin zbritës sipas hierarkisë politike të kësaj partie. Dhe sigurisht që kjo është një gjë që do të reflektohet apo do të projektohet në kongresin e 12 dhjetorit.
Ju mbani edhe postin e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, por më thoni si po ju duket jeta parlamentare pa oponencën e PS-së në Kuvend?
Ne jemi duke ushtruar të gjitha funksionet tona politike me përgjegjësi dhe përkushtim dhe jemi duke e bërë mirë detyrën tonë ndaj zgjedhësve tanë që na kanë votuar, por edhe në përgjithësi ndaj vendit. Pavarësisht se në sallën e Parlamentit mungon opozita, po të vini re, në seancat parlamentare nuk ndihet shumë, sepse ka seriozitet, ka korrektësi, përgjegjësi në trajtimin e çdo projektligji, të çdo projektvendimi dhe në çdo votim tjetër që Parlamenti përfshin. Dhe kjo sigurisht bëhet pa u sforcuar, bëhet me një ndjenjë të lartë përgjegjësie të çdo deputeti. Sigurisht, nuk na vjen mirë kur shikojmë karriget bosh të opozitës, por me thënë të drejtën, një ndjenjë keqardhjeje, por nuk ndiejmë peng. Do të ndiheshim peng, nëse do të kishim qoftë dhe një përgjegjësi të vetme për mungesën e tyre, por kjo është një përgjegjësi që nuk e kemi, pasi ky është Parlamenti më legjitim që Shqipëria ka pasur në të gjithë historinë e saj, sepse Shqipëria nuk ka bërë kurrë zgjedhje më të lira sesa me 28 qershor. Është fatkeqësi në radhë të parë për vetë opozitën që të marrë një qëndrim të tillë, por në njëfarë mënyre ky është edhe një lëndim për qytetarët shqiptarë në përgjithësi, por edhe për proceset integruese të vendit. Opozita mungon në Parlament pa asnjë argument, por vetëm për një kapriço dhe për një interes personal të kryetarit të saj, si dhe të asaj pjese të lidershipit të saj, që e ka lidhur jetën apo karrierën politike me Edi Ramën.
Dhe PD-së në këtë rast po i kërkohet e pamundura, hapja e kutive?
Ne kemi të gjithë predispozitën për të bashkëpunuar, për të dhënë konsensus, por po na kërkohet një gjë që nuk e kemi në dorë. Po na kërkohet që të nëpërkëmbim rendin kushtetues dhe të marrim atribute të pushteteve të tjera, për të cilat nuk na lejon as Kushtetuta dhe as sistemi që ne bashkërisht e kemi vendosur që në vitin 1991.
Por duket sikur ka një krizë parlamentare për shkak të mungesës së opozitës në Kuvend...
Absolutisht nuk ka asnjë lloj krize në Parlament dhe po ju them se teknikisht dhe juridikisht një parlament i tillë mund të funksionojë edhe për 100 vjet të tjera pa asnjë problem. Por sigurisht, që kjo nuk është e këshillueshme. Ne nuk na bën të ndihemi mirë. Pra, ka një moment politik nga i cili ne duhet të dalim, sepse është e vërtetë se opozita dëmin kryesor ia bën vetes, por nga ana tjetër ajo dëmton në mënyrë të tërthortë edhe imazhin e vendit dhe proceset e tij integruese, sepse në rast se ne nuk kemi asnjë pengesë që të miratojmë çdo lloj ligji dhe çdo lloj vendimi që kërkon një shumicë e thjeshtë, ne e kemi shumë të vështirë apo krejtësisht të pamundur për të bërë reforma të mëdha. Ky vend ka nevojë ulëritëse për reforma të mëdha, siç janë ato në drejtësi, e cila është e saponisur dhe e papërfunduar, por mbi të gjitha edhe ato sugjerime dhe vërejtje të raportit të OSBE/ODIHR-it, të cilat duhet të reflektohen në përmirësimet që duhet t’i bëjmë Kodit Elektoral, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme lokale dhe zgjedhjet e tjera politike ne t’i bëjmë më të mira sesa zgjedhjet e 28 qershorit, pavarësisht se ato nga ana e tyre ishin jashtëzakonisht të mira, ishin zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Gjithsesi, kontributi i opozitës është i domosdoshëm për përmbushjen e reformave integruese dhe besoj se një qeveri pa opozitë, ka problem në funksionimin e saj, apo jo?
Sigurisht që duhet kontributi i opozitës për këto reforma, por në radhë të parë opozita në Kuvend duhet që të bëjë detyrën e vëzhguesit, të kritikuesit, por edhe atë të forcës politike që jep alternativa, për të gjithë problematikën e vrullshme që kalon vendi. Pra, në finale, një vend me opozitën në rrugë nuk është se nuk e vuan mungesën e saj; një qeveri pa opozitë, sigurisht që ndien një problem në funksionim e vet normal dhe ne prandaj e kemi të gjithë prirjen që të bashkëpunojmë me Patinë Socialiste. Sigurisht, kjo përfshin edhe prirjen që të trajtojmë të gjitha kërkesat e saj legjitime, vetëm me një kusht, që ato të jenë kushtetuese dhe në përputhje me ligjet e vendit. Shqipëria dhe sidomos zgjedhësit socialistë, kanë nevojë për PS-në në Kuvend dhe kjo pa asnjë shkak gjendet sot në kafene dhe në oborrin e selisë së saj.
Deri kur do ta presë PD-ja opozitën që të lërë rrugën dhe të kthehet në Kuvend?
Ky nuk është problem i PD-së ashtu siç nuk është problem yni hapja apo moshapja e kutive. Në këtë sens PD-ja dhe PS-ja janë të baraslarguara nga njëra-tjetra. Është ligji dhe Kushtetuta ato që vendosin se kur fillon apo skadon mandati i deputetit. Është ligji ai që vendos se kur kutia hapet dhe kur kutia mbyllet dhe në këtë rast e gjithë strategjia e hapjes së kutive është një justifikim absurd i kërkesës ilegjitime të PS-së për të përligjur një qëndrim refraktar. E përsëris, është një qëndrim që nuk ka asnjë argument për të qëndruar në këmbë, përveç arsyeve shumë personale të kryetarit Edi Rama. Pra, PD-ja as nuk i hap dhe as nuk i mbyll kutitë. Ne respektojmë institucionet të cilat kanë folur dhe këto institucione, sipas Kushtetutës dhe Kodit Elektoral në fuqi, janë KQZ-ja dhe Gjykata e Apelit. Gjithsesi, janë 65 deputetë që nuk kanë bërë betimin dhe ne do të donim që dialogun politik, bashkëpunimin apo edhe debatin politik ta zhvillonim pikërisht me këtë trupë përfaqësuese. Por, sigurisht, në rast se PS-ja nuk do t’i ushtrojë atributet e saj për arsye absurde apo pa asnjë arsye, ne do të jemi të shtrënguar që të bashkëpunojmë dhe të bëjmë debat politik me ata njerëz që do të respektojnë ligjin dhe Kushtetutën, të cilët përsëri do të jenë përfaqësues të opozitës. Pra, ne nuk vendosim për përfaqësimin e opozitës, absolutisht dhe në asnjë çast nuk duam ta mendojmë këtë. Dhe kjo mbetet në vullnetin politik dhe në vendimmarrjen e afërt të PS-së, por jo vetëm të saj, në rast se do të vendosë gabim. Mund të jenë institucionet e tjera ato që do të thonë fjalën e fundit sipas ligjit.
Si po ecën bashkëqeverisja me LSI-në e Ilir Metës dhe a e ndëshkoi PD-ja veten duke i dhënë kësaj force të majtë politike pjesën e majme të pushtetit?
Jo, absolutisht nuk është kështu. PD-ja ka arritur një sukses si në rrafshin politik, ashtu dhe në rrafshin pragmatist, në raportin e saj me LSI-në. E para, më duhet të them se ka qenë një koalicion i detyruar. Nuk ka qenë dëshirë apo ëndërr e PD-së që të kishte pikërisht këtë formatim qeverisës, por ka qenë një vendimmarrje e marrë me shumë përgjegjësi në respekt të vullnetit të sovranit. Ishin shqiptarët ata që vendosën këtë formulë koalicioni dhe PD-ja, por edhe LSI-ja, e lexuan ashtu siç duhet rezultatin, duke vendosur një standard të ri në politikën shqiptare, një standard të ri që ka të bëjë me kapërcimin e hendeqeve konvencionale që ekzistojnë mes të majtës dhe të djathtës. Besoj se e majta dhe e djathta në një shtet modern, në një shtet të së drejtës, me prirje evropiane perëndimore kanë shumë më tepër gjëra që i bashkojnë sesa gjëra që i ndajnë. Përveçse në rrafshin politik, PD-ja në koalicionin e saj me LSI-në ka dalë e fituar edhe në rrafshin pragmatist, jo thjesht për ndarjen e saj që quhet torta e pushtetit ku sigurisht që edhe brenda PD-së është krejt e natyrshme që të ketë rezerva dhe qejfmbetje individuale apo më shumë sesa kaq, por në një rrafsh më afatgjatë. Ne kemi formatuar një koalicion që unë mendoj se do të jetë afatgjatë dhe kjo është një garanci shumë e madhe që PD-ja të ketë më shumë besim në një përsëritje të fitores së saj, në zgjedhjet e afërta lokale, por edhe në zgjedhjet parlamentare, pas 4 viteve. Ne kemi mundur të mundim PS-në duke mos pasur votat e LSI-së me vete apo mbështetjen e saj. Dhe imagjinoni ju se çfarë mund të ndodhë në rastin që ne kemi edhe peshën e LSI-së, e cila nuk është e vogël, tashmë në përballjet tona të ardhshme me PS-në në vitet që do vijnë.
Stafi aktual i qeverisë “Berisha”, është më perfekti i koalicionit të djathtë?
E kam thënë në Parlament dhe e them sërish që nuk presim që ky kabinet të jetë po aq i mirë sa kabineti i 4 viteve që shkuan. Ne presim shumë më tepër prej këtij kabineti dhe kam besim që ky staf mund ta përmbushë misionin e vet. Presin shumë më tepër, sepse ritmi dhe problematika në të cilën është futur vendi kërkon një dinamikë të re. Besoj në efikasitetin e stafit aktual, sepse është ndërtuar që të jetë më i miri sesa “Berisha 1” sepse procesi integrues i vendit kërkon më shumë ritëm dhe shpejtësi më të madhe në pritshmërinë jo vetëm të publikut shqiptar, por edhe në atë që partnerët tanë ndërkombëtarë shpresojnë të shohin nga Shqipëria.