E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen tre persona për shpërndarje droge

Korçë- Goditen shpërndarësit e drogës në qytetin juglindor, tre në pranga në 24 orë. Policia e Korçës është duke i kushtuar një vëmendje të posaçme shpërndarësve të drogës nëpër qytet, të cilët për fat të keq janë shtuar së tepërmi. Vetëm në 24 orë punë të bluve, bilanci flet për tre të rinj që kanë përfunduar në pranga. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë lokale, mësohet se Deko Hysko 29 vjeç, banor i lagjes 13 në Korçë, Devis Proko banor i lagjes 14 në këtë qytet, si dhe Maril Pano 22-vjeçar po nga Korça, janë të arrestuarit e uniformave blu të komisariatit të Korçës. Mësohet se Deko Hysko, vetëm pas një kontrollit fizik, të ushtruar ndaj tij në lagjen ku banon, iu gjetën dhe tre porcione me kanabis sativa 3 gram, në formë cigare, të cilat ishte duke i shitur. Gjithashtu, gati në të njëjtat kushte është ndaluar edhe Devis Proko 20 vjeç, të cilit iu gjet 1.6 gram lëndë narkotike. Të njëjtat burime kanë bërë të ditura për gazetën se në pranga ka rënë edhe shtetasi Maril Pano, i cili lëndën narkotike e kishte në mjetin e tij tip benz, me targë KO 7170 B, me peshë 2 gram. Të tre të ndaluarit akuzohen për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”. Të rinjtë e shisnin hashashin kryesisht tek adoleshentët, si dhe në lagjet ku banonin. Blutë i kanë mbajtur nën vëzhgim të rinjtë që vepronin në mënyrë individuale, ndërsa janë duke punuar për të zbuluar shpërndarësin kryesor të mallit, i cili punon me disa të rinj në lagje të ndryshme të qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›