Shqiptari i mafias së basteve: Rrëfej takimin tim me Fratinin
Ravena Ismet Mehmeti, shqiptari 53-vjeçar, i është rikthyer lirisë. Nën arrest shtëpiak që prej 31 majit, datë kur nisi blici i prokurorisë së Kremonës mbi bastet e paligjshme në futboll, Mehmeti është liruar mbrëmjen e së mërkurës, me urdhër të prokurorit të kësaj çështjeje, Guido Salvini. Shqiptari i asistuar nga avokati Luka Doneli ishte marrë në pyetje të enjten e javës së kaluar dhe prokurorit Salvini i ka treguar se ai është një njeri që i pëlqen të vërë baste. “Hedh bast pak euro, por asnjëherë kundër ekipit të Ravenës, pra nuk kam të bëj me këtë që po gjurmoni ju”, - është shprehur shqiptari, i cili ka shtuar se mbi të gjitha është një njeri që i pëlqen politika dhe futbolli. I sapodalë nga burgu, ai ka dhënë një intervistë për të përditshmen italiane “Il Resto del Çarlino”, e cila është dhe gazeta e qytetit të Ravenës. “Janë eksperienca të hidhura, por që të shërbejnë për të reflektuar dhe për të kuptuar. E unë kam kuptuar se një normë që të lejon të vlerësosh përmbajtjen e një bisede telefonike si provë, është një ligj i padrejtë. Po ia kam thënë dhe gjykatësit, kam bërë ndonjë skedinë me kërkesë të Piranit, kur isha në Shqipëri për karrierën time politike. Kam luajtur dhe kam humbur. Por me kaq gjë, të pretendosh se bëj pjesë në një organizatë të krimit të organizuar, është habi e madhe”,- shprehet shqiptari. Mehmeti ka gjithnjë pamje të buzëqeshur dhe të ngrohtë. “Jemi një familje që s’mund të quhemi e pasur, madje ndoshta klasifikohemi në pjesën e të varfërve, por këtu në Itali, në Ravena, ndihemi shumë mirë. Unë në Shqipëri kam qenë një gazetar, pastaj në vitin 1992 i hyra politikës. Në vitin 1999 isha kreu i partisë Lidhja Kombëtare Shqiptare. Kam qenë dhe mbetem një i apasionuar i madh pas futbollit. Në Durrës kam qenë edhe drejtor sportiv në vitet ‘96-‘97 dhe kjo është arsyeja që kam njohur personazhet si Bufone dhe Xhani Fabri”, - shprehet Mehmeti.
Kur keni ardhur në Itali?
Këtu në Ravena kanë ardhur fillimisht të afërmit e mi, që në fillim të viteve ‘90. Unë dhe bashkëshortja vinim shpesh këtu. U dashuruam me këtë qytet. Kështu, në vitin 2002, kur ime shoqe ishte gati për të lindur, u shpërngulëm këtu, sepse doja që ime bijë të lindte në Itali. Fëmija i parë kishte lindur në Shqipëri. Që prej vitit 2005 jetojmë këtu rregullisht.
Çfarë pune bëni?
Këtu në Itali kam bërë punë nga më të ndryshmet. Nëse në Shqipëri, aktiviteti im ishte kulturor dhe politik, këtu kam bërë punë krahu që më kanë pëlqyer gjithashtu, punonjës fabrike, magazinier etj. Punën e fundit e kisha në një kompani në Çezena, e cila për shkak të krizës më pushoi nga puna. Kam ngelur në shtëpi dhe jam në kërkim të një pune. Për fat të mirë, ime shoqe është infermiere dhe punon në spital, kështu që nuk jemi krejt pa të ardhura.
Kur e njohët Fabrin?
Në nëntor. Ia tregova menjëherë pasionin tim të madh për futbollin. U bëmë miq. Mund t’ju siguroj se as klubi i Ravenës, as vetë Fabri nuk kanë të bëjnë hiç me këtë çështjen e basteve. Isha mik i Bufones dhe mbetem një mik me të. Me Fabrin diskutoja shpesh se do të bëja ç’të mundesha për t’i dhënë një dorë ekipit të Ravenës, duke kërkuar dhe në Shqipëri që kuotat dhe koeficentët për këtë kompani të ishin sa më të mirë.
Në fakt, vetë Fabri e sqaroi që në fillim këtë rrethanë, apo jo?
A e shikoni, unë mendoj se qyteti i Ravenës e meriton që ekipin e tij të futbollit ta shohë në serinë A. Ravena është një qytet i njohur në botë, për historinë e saj, për monumentet, është një qytet i sigurt, i pastër, dhe ka të gjitha potencialet që të bëhet kryeqyteti i kulturës europiane në vitin 2019. E unë do të doja që në vitin 2017 ekipi i Ravenës të ishte pjesë e serisë A.
Po kjo puna e basteve?
Nëse dikush ka gabuar dhe kjo do të provohet, meriton të ndëshkohet. Por do të doja që një gjë të ishte e qartë: nuk janë këto bastet, që bëjnë pis futbollin. Futbolli është bërë pis nga një lloj tjetër bastesh, nga bastet zyrtare. Ka një qerthull të tërë interesash dhe bastesh që fiksojnë rezultatet. Shikoni, unë hedh baste, baste legale, pak euro, maksimumi 10-20 euro dhe fitoj, sepse nuk mashtrohem nga koeficientët. Unë e di sesi përfundojnë ndeshje të caktuara, kur vërej disa gjëra të caktuara te këto ndeshje.
Po nuk ju mungon hiç aktiviteti juaj politik?
Sigurisht, por nuk më mungon në Shqipëri, sesa më mungon këtu në Itali. Sepse ky është vendi im dhe do të luftoj që shqiptarëve dhe të huajve të tjerë t’u jepet e drejta e votës. Shikoni, ne shqiptarët jemi pjesë e Ballkanit, por brenda shpirtit tonë kemi qenë gjithnjë pak italianë. Shikoni, këto terma politikë unë i çoj përpara në nivel politik. Në këtë mënyrë u përmend dhe në bisedën telefonike dhe emri i ministrit Fratini prej meje. E kontaktova nëpërmjet deputetes Daniela Santake, të cilën e njoh. Në tavolinë i thashë tre argumente. Të drejtën e votës për shqiptarët, njohjen e diplomave shqiptare në Itali dhe konvertimin e patentave shqiptare, për këdo që jeton në Itali.
Projekte për të ardhmen?
Duhet të hap një shoqatë që i jep jetë futbollit të pastër, futbollit të çliruar nga bastet, përfshirë dhe ato bastet legale. Do të doja që Ravena, sipërmarrësit dhe Bashkia të bënin më shumë për këtë shoqatë futbolli.
Bastet në futboll
Nëse dikush ka gabuar dhe kjo do të provohet, meriton të ndëshkohet. Por do të doja që një gjë të ishte e qartë: nuk janë këto bastet që bëjnë pis futbollin. Futbolli është bërë pis nga një lloj tjetër bastesh, nga bastet zyrtare. Ka një qerthull të tërë interesash dhe bastesh që fiksojnë rezultatet. Shikoni, unë hedh baste, baste legale, pak euro, maksimumi 10-20 euro dhe fitoj, sepse nuk mashtrohem nga koeficientët. Unë e di sesi përfundojnë ndeshje të caktuara, kur vërej disa gjëra të caktuara te këto ndeshje.
Takimi me Fratinin
Shikoni, ne shqiptarët jemi pjesë e Ballkanit, por brenda shpirtit tonë kemi qenë gjithnjë pak italianë. Shikoni, këto terma politikë unë i çoj përpara në nivel politik. Në këtë mënyrë u përmend dhe në bisedën telefonike dhe emri i ministrit Fratini prej meje. E kontaktova nëpërmjet deputetes Daniela Santake, të cilën e njoh. Në tavolinë i thashë tre argumente. Të drejtën e votës për shqiptarët, njohjen e diplomave shqiptare në Itali dhe konvertimin e patentave shqiptare, për këdo që jeton në Itali.