E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen tre policë, në kërkim i katërti

Arrestohen për korrupsion tre policë rrugorë të Komisariatit të Tepelenës, ndërsa një i katërt shpallet në kërkim për të njëjtën vepër penale. Arrestimi është bërë dje, pasi u vërtetua se katër njerëzit me uniformë merrnin ryshfet nga drejtuesit e mjeteve që kishin probleme në dokumentacion apo kapeshin në shkelje. Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës njoftoi dje zyrtarisht se pas një hetimi 4-mujor të bërë nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për veprën penale të "Korrupsionit pasiv në bashkëpunim", pas grumbullimit të provave ligjore ka regjistruar procedimin penal në gjykatë në ngarkim të katër punonjësve të policisë së Komisariatit të Policisë Tepelenë, me detyrë punonjës policie në Qarkullimin Rrugor në Komisariatin e Policisë Tepelenë. Kështu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, në bazë të provave ligjore të grumbulluara nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, ka vendosur dje masën e sigurisë "Arrest me burg" për katër punonjës policie të qarkullimit rrugor të Komisariatit të Policisë Tepelenë. Ata janë Mustafa Shehu, Erion Zylfaj, Fatos Hysi dhe Adrian Muhameti. Nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, po dje rreth orës 14:30 është bërë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjirokastër. Në momentin e ekzekutimit të këtij urdhri, punonjësi i policisë, Mustafa Shehu, nuk është gjetur në banesë, ndërsa tre punonjësit e tjerë, Erion Zylfaj, Fatos Hysi dhe Adrian Muhameti, janë ndaluar dhe janë shoqëruar në dhomat e paraburgimit. Për policin që nuk u arrestua dot, bëhet e ditur se është bërë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. Procedurat e arrestimit të policëve të akuzuar për marrje ryshfeti nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër janë shoqëruar me procedurat e pezullimit të tyre të menjëhershëm nga puna dhe ka filluar me urgjencë procedimi penal si dhe procedimi disiplinor për përjashtim nga radhët e Policisë së Shtetit.

En. Se.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›