Arrestohen tre veta për 762 gramë kanabis
Aksioni më i fundit antidrogë i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit ka çuar në pranga tre persona. Sipas burimeve zyrtare të policisë, bëhet e ditur se në orët e vona të natës së të mërkurës është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i 49-vjeçarit Petrit Myftari dhe dy 24-vjeçarëve Fatjon Oruçi dhe Agron Cenaj, të tre banorë të qytetit të Elbasanit. Këta persona janë arrestuar, pasi në bazë të informacioneve të marra dhe gjatë një kontrolli të ushtruar nga ana e policisë dhe nga hetimet paraprake të kryera, dyshohen se kanë tentuar të trafikojnë një sasi të madhe kanabisi. Sipas policisë, Petrit Myftari u ka siguruar dy të rinjve Fatjon Oruçi dhe Agron Cenaj një sasi prej 762 gramësh kanabis sativa. Burimet policore saktësuan se myftari u ka dhënë dy të rinjve një sasi prej 762 gramë lënde bimore me ngjyrë të gjelbër, që ka karakteristikat e kanabisit. Gjatë një kontrolli në banesën e Petrit Myftarit, sipas burimit në fjalë u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 34.75 gramë kanabis sativa, 26 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm, një krehër metalik për pushkë dhjetëshe, si edhe 20 mijë lekë të rinj, që dyshohet se janë paguar nga dy të rinjtë për blerjen e lëndës narkotike. Shtetasit e lartpërmendur akuzohen për veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së narkotikëve" dhe "mbajtjes së armëve e municioneve luftarake pa leje".