E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saranda zgjohet me shpërthim tritoli. Shënjestra nuk dihet

Ka qenë ora 03:40 kur është dëgjuar një shpërthim tritoli në qendër të qytetit të Sarandës. Në shënjestër të lëndës eksplozive është vënë një ndër apartamentet e katit të pestë të pallatit 5-katësh, ngjitur me ndërtesën 15-katëshe, në kryqëzimin kryesor të qytetit. Burimet policore që kanë shkuar në vendngjarje thanë se ka qenë një sasi tritoli e vënë në sheshpushimin e pallatit, që mendohet se ka qenë në sasi jo më tepër se 100 gramë. Nga plasja e lëndës shpërthyese nuk janë regjistruar të lënduar, por vetëm dëme materiale, si: thyerje xhamash të disa banesave në pallatin e vënë në shënjestër dhe të disa pallateve përreth. Ndërkohë që është hapur një zgavër në dyshemenë e korridorit të përbashkët mes dy apartamenteve.

Policia ka dyshuar fillimisht se tritoli ishte vendosur në shtëpinë e gjyqtares Ketra Bajrami, që banon në këtë pallat, por nga hetimet është zbuluar se objektiv i sulmit ka qenë një tjetër banesë, e cila është dëmtuar edhe më shumë se të tjerat.

Ndërkohë, pjesëtarë të familjeve Lamaj dhe Çavo, pronare të apartamenteve të katit të pestë, që rezultojnë më të dëmtuara, nga të cilat njëra është kthyer këto ditë nga emigracioni, thanë se nuk kanë asnjë arsye që të mund të bëheshin objekt i sulmit të tritolvënësve. Edhe të dëmtuarit kanë shprehur dyshimin se mos në objektivin e këtij sulmi mund të ketë qenë dikush tjetër, me përgjegjësi shtetërore.

Lutfie Lamaj, e cila banon prej 40 vitesh në këtë pallat dhe është pronarja e banesës që ka pësuar më shumë dëmtim, tha se duke qenë zgjuar gjithë natën, për shkak të sëmundjes së astmës, ka dëgjuar lëvizje nëpër korridor dhe kur ka dalë ka parë një gjë si top të mbështjellë të hedhur pa kujdes. Vetëm kur ka plasur, ajo ka kuptuar se pakoja e mbështjellë kishte qenë me tritol.

Rreth ngjarjes janë grumbulluar disa prova materiale nga ekspertët hetimorë dhe shkencorë, ndërkohë që janë marrë edhe dëshmitë e banorëve të pallatit. Nga ana e policisë ka nisur puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Burime konfidenciale na Policia e Sarandës bëjnë të ditur se janë shoqëruar nga forcat e rendit disa shtetas të dyshuar, por ende nuk është mbërritur në zbulimin e autorëve të ngjarjes që tronditi Sarandën në të gdhirë të së enjtes.

Në harkun kohor të një viti, në këtë qytet janë regjistruar shtatë raste të vendosjes së lëndëve eksplozive, nga të cilat vetëm për një është identifikuar autori, që në rastin konkret është bariu i mbetur i gjymtuar në agjencinë e udhëtarëve, në tentativën për t‘ia hedhur atë një personi që ishte vëllai i punëdhënësit të tij në stan.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›