E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, kontrolle nga ajri për kanabisin

Dyshimet e sektorit të antidrogës pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat për kultivim bimësh narkotike në zonat e thella malore të këtij qarku kanë bërë që Ministria e Brendshme të organizojë dje një operacion vëzhgimi nga ajri në fshatrat e thellë të rretheve Skrapar e Berat.

Paraditen e djeshme, një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka qarkulluar në të gjithë qarkun, duke zhvilluar kështu një kontroll për të evidentuar zonat ku dyshohet se kultivohen bimë narkotike. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut në Berat bëjnë me dije se Ministria e Brendshme i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së këtij organi për zhvillimin e një kontrolli nga ajri në të gjithë territorin e qarkut. Helikopteri ka fluturuar për orë të tëra mbi fshatrat e thellë malorë të Beratit e Skraparit, ku relievi i thyer dhe rrugët e këqija e bëjnë të vështirë zhvillimin e kontrolleve në rrugë tokësore.

Mjeti që ka fluturuar mbi zonat e thella malore mësohet se ka kaluar në sitë të gjithë fshatrat e thellë malorë të Beratit e Skraparit. Specialistët e antidrogës, që kanë qenë pjesë e këtij aksioni, kanë parë gjithë sipërfaqet e zonave të thella malore, ku dhe dyshohet se kultivohen bimë narkotike, kanë filmuar e fotografuar çdo parcelë të dyshimtë për të organizuar më pas ndërhyrjet nga toka në territoret e dyshuara.

Që prej orës 10.00 të paradites, deri në orën 13.00, helikopteri i ministrisë ka fluturuar mbi gjithë fshatrat e thellë malorë, duke verifikuar parcelat e mbjella nga banorët e zonës, ku dhe dyshohet se kultivohen bimë narkotike kanabis sativa.

Në lidhje me rezultatet e këtij aksioni, sipas burimeve zyrtare të policisë së këtij qarku nuk mund të flitet, pasi kjo është vetëm faza e parë e verifikimeve dhe puna do të vazhdojë me verifikimin në terren të parcelave të dyshuara që janë parë nga lart.

Burime policore pohojnë se janë piketuar disa zona të dyshuara, por për të mbajtur të fshehtë zhvillimet e mëtejshme të këtij operacioni nuk bëhet e ditur ende sa ka qenë numri i parcelave që mendohet të jenë mbjellë me kanabis në zonat e thella malore, kryesisht të rrethit të Skraparit.

Operacionet e kontrollit nga ajri janë aplikuar për herë të parë nga autoritetet shqiptare në vitin 2004 në fshatin Lazarat të Gjirokastrës. Me 18 gusht të këtij viti, një helikopter i forcave italiane të NATO-s, i cili po asistonte forcat shqiptare të policisë për identifikimin e parcelave të mbjella me kanabis, u qëllua me armë nga fshati, por fatmirësisht nuk pati të lënduar dhe mjeti arriti të largohej pa pësuar dëmtime të mëdha.

Sivjet, policia shqiptare është angazhuar sërish për të luftuar kultivimin e bimëve narkotike në të gjithë vendin dhe ka arritur të zbulojë dhe asgjësojë dhjetëra parcela në rrethe të ndryshme, që nga Shkodra deri në Sarandë.

Por, deri më sot, policia nuk ka bërë asnjë ndërhyrje në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, ku ka dyshime të forta se edhe këtë vit po kultivohet në masë bima narkotike kanabis sativa. Policia, ashtu si vitin e kaluar, është përqendruar në ndalimin e automjeteve që transportojnë ujë apo plehra kimike e organike drejt parcelave të Lazaratit, por nuk ka guxuar të ushtrojë kontrolle në fshat, qoftë edhe nëpërmjet ajrit, siç bëri dje në zonat e thella të rrethit të Beratit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›