E Diel, 1 Nëntor 2026

Thikat, dy të plagosur në Elbasan dhe Peqin

Kanë kaluar drekën së bashku dhe më pas janë kacafytur me thika. Kështu ka ndodhur me dy kushërinj të parë në një fshat të rrethit të Peqinit. Sipas burimeve zyrtare të policisë është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i 35 vjeçarit Avni Balla, banues në fshatin Çopanaj të Peqinit. Burimi në fjalë sqaron se arrestimi i tij u bë pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta ka plagosur me thikë kushëririn e tij, 58-vjeçarin Nazmi Balla, të cilit i ka shkaktuar dëmtime të rënda në pjesë të ndryshme të trupit. Menjëherë i dëmtuari u dërgua në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku aktualisht gjendja shëndetësore e tij është e rënduar. Mjekët pohojnë se mund të niset edhe për një ndërhyrje më të specializuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, por kjo mund të vendoset pas disa orësh mjekim ndaj tij. Ndërkohë, burime të policisë konfirmojnë se është ndaluar Klemend Pëllumbi, vjeç 38, banues në lagjen "5 Maji" të Elbasanit, i dënuar më parë për veprën penale "Plagosje e rëndë". Arrestimi i tij është bërë pasi në bashkëpunim me 40-vjeçarin Qemal Sinani, banor në lagjen "Aqif Pasha", për motive të dobëta kanë goditur me thikë 36-vjeçarin Astrit Dehari, banues në lagjen "Haxhias" të Elbasanit, gjithashtu i dënuar më parë për "vjedhje". Dehari mësohet se është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin kirurgjik të Elbasanit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›