Arrestohen vëllezërit shpërndarës të drogës, në banesë gjendet arsenal armësh
DURRËS- Dy vëllezër nga qyteti i Durrësit janë vënë në pranga, pasi iu është gjetur një sasi lënde narkotike e llojit heroinë gati për shitje. Elvis Mona 27 vjeç dhe vëllai i tij 17-vjeçar janë kapur në flagrancë me 18 doza heroine, të cilat ishin bërë gati për t’u shitur përdoruesve të kësaj lënde narkotike. Burimet e policisë së qarkut Durrës kanë bërë të ditur se të dy vëllezërit, të cilët janë banorë të lagjes 16, janë kapur rreth orës 13.30 në afërsi të stadiumit, aty ku është edhe banesa e tyre. Operacioni i koduar me emrin “Blitz” është zbatuar nga efektivat e antidrogës dhe policisë kriminale të Durrësit. Dy vëllezërit janë vënë në ndjekje prej kohësh, ndërsa ditën e djeshme, policia ka mësuar se ata kanë pasur lëndë narkotike me vete. Kaq ka mjaftuar që efektivat policore të vihen në lëvizje, duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të tyre, çka ka justifikuar edhe operacionin në fjalë. Pas arrestimit të 27- vjetarit, Elvis Mona, dhe vëllait të tij të mitur me iniciale M.Mona, policia ka vazhduar të bëjë kërkime duke kontrolluar banesën e tyre. Pas kontrollit që është bërë nga këta efektiva, policia ka gjetur një sasi të madhe fishekësh, armësh dhe granata e tritoli. Sipas të njëjtave burime, në shtëpinë e tyre në lagjen 16 janë gjetur 3 pushkë model 63 të kalibrit 7.62 mm, 8 copë kallëpe tritol, 4 granata difensive, 1500 fishekë dhe 20 detonatorë. Policia e ka sekuestruar lëndën narkotike dhe arsenalin e armëve, në cilësinë e provës materiale, ndërsa dy vëllezërit janë vënë në pranga. Lidhur me ngjarjen në fjalë janë marrë në pyetje shumë persona dhe po hetohen nëse ata kanë bashkëpunuar në këtë aktivitet me persona të tjerë në qytetin e Durrësit.