E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet skema e grabitjes me karta të klonuara

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 05-02-2011 10:32

Zbardhet mënyra e grabitjes me anë të kartave të klonuara, ndërsa katër persona, tre prej të cilëve kosovarë, kanë rënë në prangat e policisë. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit bëhet e ditur se gjatë katër muajve të fundit, këta persona kanë mundur të marrin afro 150 mijë euro, duke përdorur karta krediti për të kryer veprime të ndryshme. Pas arrestimit të katër personave, policia ka shpallur në kërkim persona të tjerë të implikuar me këtë veprimtari.

Operacioni

Kështu, nga Sektori Kundër Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Kukës dhe Durrës, si dhe shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, pas një hetimi intensiv disa mujor, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “SKIMER 2”, në kuadër të të cilit u arrestuan shtetasit:

Në pranga kanë rënë Selatin Krasniqi 36 vjeç, Ergyn Sylejmani 26 vjeç, Milaim Potoko 28 vjeç, të tre nga Prishtina, si dhe Agim Sulo 52 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, biznesmen. Sipas burimeve të policisë, mësohet se “arrestimi i këtyre shtetasve është bërë pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me karta bankare të falsifikuara, kanë kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh bankare, në vlerë rreth 150 000 euro”. Po të njëjtat burime kanë saktësuar se grabitja bëhej nëpërmjet terminaleve “POS”, të vendosura në disa nga subjektet tregtare, kryesisht të zonës së plazhit të Durrësit, qendrave tregtare në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

Hetimi

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky grup, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një sërë sulmesh të suksesshme me karta bankare të falsifikuara në bankomate të bankave të nivelit të dytë në Tiranë, në muajt shtator-tetor.

Ndërkohë, gjatë dy muajve të parë të këtij viti, të arrestuarit kanë kryer blerje të mallrave ushqimore, mallra industriale, furnizime me karburant të mjeteve me të cilat qarkullonin, në disa supermarkete, bare e restorante, hotele dhe pika karburanti nëpërmjet terminaleve “POS”, që ofronin këto shërbime. Sipas hetimeve të para, mësohet se gjatë kësaj periudhe ata kanë kryer mbi 100 transaksione me vlerë rreth 150 000 euro. Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: pajisje kompjuterike “Skimmer”, që shërbejnë për klonimin e kartave, dhjetëra karta plastike me shirit magnetik, në të cilat janë hedhur të dhëna të kartave bankare të vjedhura, një kompjuter “lap top”, që ka shërbyer për programimin e këtyre të dhënave, një automjet fuoristradë etj. Materialet procedurale, në ngarkim të këtyre personave, i kanë kaluar për veprime të mëtejshme Njësisë së Përbashkët Hetimore, kundër Krimit Ekonomik e Korrupsionit, nën akuzën e kryerjes së veprës penale të “mashtrimeve kompjuterike” parashikuar nga neni 143/b, paragrafi i dytë i Kodit Penal. Hetimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, për vënien para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›