Prishja e pazareve të drogës, parandalohet vrasja
SHKODËR- Prishja e pazareve të drogës, mes tre personave nga qyteti i Shkodrës dhe një studenti të Juridikut në Tiranë, gati sa nuk ka sjellë eliminimin e këtij të fundit. Por ndërhyrja në kohë e policisë, ka bërë që kjo vrasje të shmanget dhe të arrestohen katër personat e përfshirë në këtë ngjarje. Dy prej të arrestuarve janë biznesmenë në qytetin verior. Nga ora 23 e së enjtes, e deri në orët e para të së premtes, Policia e Shkodrës, në bashkëpunim dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë finalizuar operacionin e koduar “Kalaja 2“, duke vënë në pranga 4 persona, ndërsa është bërë e mundur parandalimi i një vrasje në qytetin e Shkodrës.
Të arrestuarit
Kristian Gjergji 30 vjeç, lindur në fshatin Gradish të rrethit Lushnje dhe student në vitin e 5-të Juridik në Tiranë, Ajet Hoti 20 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Manush Alimani” të qytetit Shkodër, biznesmen artikujsh ushqimorë, Saimir Hoti 24 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Manush Alimani”, të qytetit Shkodër, biznesmen artikujsh ushqimorë, Naim Hotaj 19 vjeç, lindur e banues në fshatin Palvar, në Malësinë e Madhe, janë ndaluar nga policia me akuzat e vrasjes së ngelur në tentativë, prodhimi dhe shitja e narkotikeve dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”. Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me kolegët në Tiranë, kishte marrë informacione për aktivitetin e dyshuar të dy vëllezërve Hoti, të cilët në bashkëpunim me një person tjetër, në Malësi të Madhe, dyshohej se merreshin me trafik lëndësh narkotike. Pas hetimeve të kryera dhe përgjimeve telefonike është mësuar se studenti nga Lushnja, që jetonte në Tiranë, ishte porositës i një sasie lënde narkotike në Shkodër. Po gjatë hetimeve ka rezultuar se blerësi dhe shitësi kishin konflikt mes tyre, lidhur me mallin dhe çmimin e tij dhe kishin debatuar për këtë.
Operacioni
Mbrëmjen e së enjtes, policia ka marrë informacion se personat nga Shkodra, që kishin shitur lëndën narkotike, po planifikonin vrasjen e 30-vjeçarit nga Lushnja, i cili do vinte në Shkodër për t’u sqaruar, lidhur me konfliktin që kishte për trafikun e lëndës narkotike. Policia ka marrë masat dhe ka ndërhyrë befasisht, në momentin kur vëllezërit Hoti po shkonin për t‘u takuar me Kristian Gjergjin, duke parandaluar një vrasje të mundshme të tij. Polica ka gjetur dhe sekuestruar si prova materiale 400 gram lëndë narkotike të llojit Kokainë, 2 Automatik model 56, së bashku me dy krehra me fishekë, 5 copë kallepë lëndë eksplozive, e llojit Tritol, dylbi pushke snajper, automjet tip FIAT - Punto, me ngjyrë të zezë, me targa TR 7960 S, automjet tip Volksvagen-Golf, me ngjyrë blu, me targa LU 7009 B, çiklomotorr me ngjyrë të zezë, pa targa dhe 6 aparatë celularë.