Sekuestro parave që nuk deklarohen në kufi
TIRANË- Kushdo që nuk deklaron paratë në pikat e kalimit kufitar, rrezikon t’i humbasë ato. Gjykata e Tiranës ka përcaktuar tashmë një precedent, duke dënuar me gjobë dhe sekuestro të parave turkun e kapur pak muaj më parë në aeroportin e Rinasit. Pas dy seancave gjyqësore, Gjykata e Tiranës vendosi të dënojë në aplikim të gjykimit të shkurtuar biznesmenin turk Murat Aksoz me rreth 1700 euro gjobë për kryerjen e veprës penale të “mosdeklarimit në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë”. Gjithashtu, po kjo gjykatë, e kryesuar nga gjyqtari Gjin Gjoni vendosi që rreth 18 mijë eurot e sekuestruara 5 prillin e këtij viti t’i kalojnë shtetit dhe vetëm 8 mijë euro të tjera t’i kthehen të pandehurit nga Turqia. Sipas dispozitivit të vendimit të gjyqtarit Gjoni thuhet shprehimisht: “pas shqyrtimit gjyqësor të çështjes me nr.1128 me të pandehur shtetasin Murat Aksoz, gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit për veprën penale “mos deklarim i të hollave dhe sendeve me vlerë” parashikuar nga neni 179/a i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni e dënon me 300 mijë lekë gjobë. Sipas këtij vendimi, i pandehuri Murat Aksoz është ndaluar mesditën e 5 prillit të këtij viti në aeroportin e Rinasit nga ku po kalonte tranzit me rreth 26 mijë euro në çantën e tij të padeklaruara gjatë kalimit në doganë. Pas ndalimit të tij, u vendos me vendim të Gjykatës që i pandehuri të hetohet dhe gjykohet në gjendje të lirë. Pas përfundimit të hetimeve prokuroria solli në gjykatë dosjen penale me të pandehurin biznesmenin turk Murat Aksoz për kryerjen e veprës penale të “mos deklarimit në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë”. Me depozitimin e kësaj çështjeje në kryesekretari, dosja është hedhur në short elektronik ku i ra për gjykim gjyqtarit të vetëm Gjin Gjoni, i cili me dy seanca gjyqësore, në aplikim të gjykimit të shkurtuar vendosi dënimin e tij me rreth 1700 euro gjobë për mos deklarimin e këtyre parave si dhe kalimin në pronësi të shtetit të rreth 18 mijë eurove të tjera të cilat i pandehuri nuk arriti të bindë gjykatën se ai nuk kishte dijeni për to, teksa po kalonte tranzit nëpër Shqipëri.
Dënimi për mosdeklarimin e parave
TIRANË- Gjykata e Tiranës, vetëm pak ditë më parë, ka vendosur ndaj të pandehurit Altin Mulleti deklarimin fajtor për veprën penale të “mosdeklarimit në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë”. Ky person është dënuar me 60 mijë lekë gjobë, ndërsa paratë e tjera të sekuestruara në momentin e arrestimit që kapin vlerën e 26 mijë eurove dhe 8500 dollarëve amerikanë i janë kthyer të pandehurit. Edhe pse arrestimi i tij ishte për të njëjtën akuzë dhe vepër penale, por që ky i fundit sipas dispozitivit të vendimit i arsyetoi me fatura bankare që këto para janë në pronësi të tij por që nuk i deklaroi në kalimin kufitar të Rinasit.