E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pastronte armën e gjahut, plagoset rëndë 10-vjeçari

 

Mjekët: Fëmija erdhi në gjendje shumë të rëndë. U transportua me helikopter në Spitalin Ushtarak për ndihmë të specializuar

Fier-Kurioziteti për të parë nga afër armën e gjahut dhe më pas për ta hapur e pastruar ka vënë në rrezik serioz jetën e një fëmije 10-vjeçar në Fier. Plagët e marra si pasojë e një shkrepjeje të armës nga pakujdesia kanë qenë të rënda, aq sa mjekët e spitalin rajonal të qytetit e kanë dërguar për ndërhyrje urgjente drejt Tiranës. Sipas burimeve policore, ngjarja ndodhi në orët e paradites së djeshme, ku gjatë “lojës” me armën, mbeti i plagosur rëndë 10-vjeçari me inicialet G.B.

***

Ka qenë ora 09.30 e mëngjesit e djeshëm, kur fëmija i vogël i familjes ka qenë së bashku me të vëllanë më të madh brenda banesës, në fshatin Ndërmënas të Fierit. Sipas burimeve policore, mbështetur edhe në dëshminë e familjarëve mësohet se dy vëllezërit kishin marrë në dorë armën e gjahut të të atit. Fillimisht ai ka qenë në dhomë,në shoqërinë e vëllait 15-vjeçar. Por, në një moment të mbetur vetëm, 10-vjeçari G.B ka marrë çiften e babait. Duke e mbajtur në duar, duket se fëmija është bërë kureshtar dhe ka nisur ta vrojtojë mirë. Por, nuk është mjaftuar me kaq. Vetëm pak minuta më pas, ka nisur të bëjë zbërthimin e armës me synimin për ta pastruar, pa e menduar në fakt se një veprim i tillë do t’i kushtonte shumë shtrenjtë. Kaq ka mjaftuar që arma të bëjë një shkrepje dhe saçmat e kanë marrë në pjesë të ndryshme të trupit, duke e lënë të gjakosur përtokë. Vëllai, 15-vjeçar, që në atë moment ndodhej në një anë tjetër të shtëpisë ka dëgjuar zhurmën e bërë nga shkrepja e armës dhe ka vrapuar me shpejtësi në drejtim të vëllait. Pamja ka qenë e tmerrshme për sytë e tij, teksa ka parë të voglin të gjakosur e të shtrirë përtokë. I alarmuar ka nisur të bërtasë dhe të kërkojë ndihmën e familjarëve të tjerë. Të gjithë kanë ardhur me rrëmbim dhe me një makinë kanë transportuar 10-vjeçarin për në spitalin e Fierit.

***

Mjekët e urgjencës e kanë dërguar në reanimacion për t’i dhënë ndihmën e parë, por sipas tyre, plagët e marra nga goditja e armës kanë qenë kritike. Ata nuk kanë dashur të japin shumë sqarime lidhur me këtë rast plagosjeje, por kanë pranuar se fëmija ishte në gjendje të rëndë dhe për këtë kërkohej një ndërhyrje më e specializuar, që mund të jepej vetëm në Tiranë. Brenda një kohe të shkurtër nga mbërritja e të plagosurit është mundësuar lidhja me Tiranën, ndërkohë që është negociuar edhe për mbërritjen e një helikopteri për të bërë transportimin e fëmijës. Sipas mjekëve të urgjencës, lëvizja me autoambulancë do të kushtonte shumë kohë, ndërkohë që fëmija duhej trajtuar me urgjencë. “Rreth orës 11.30, fëmija i plagosur u nis në Spitalin Ushtarak të Tiranës me helikopter, falë bashkëpunimit të spitalit,policisë së Fierit dhe Ministrisë së Brendshme”,- thanë burimet policore.

***

Mësohet se pak kohë pas ngjarjes, për policinë plagosja e fëmijës mbetej enigmatike. Por pas hetimeve dhe ekspertizës në vendin e ngjarjes është arritur në përfundimin se 10-vjeçari ishte vetëplagosur nga pakujdesia, gjatë pastrimit të armës. Hetimet policore dhe marrja në pyetje e babait të fëmijës, treguan se arma e gjahut ishte me leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›