E Diel, 1 Nëntor 2026

NO COMMENT nga ROBERT BOSCH?

Ylli Dylgjeri 

E vërteta e hidhur mbi “atentatin” me Amendamentet Kushtetuese, që politika e dy të mëdhenjve kreu në Kuvendin e Shqipërisë më 21 prill, komentohet së fundi në një intervistë që kreu i Prezencës së OSBE në Shqipëri, ambasadori Robert Bosch, i jep kryeredaktorit dhe mikut tim S. Minxhozi në revistën MAPO (në numrin i së dielës).
Më pranoni z.ambasador të komentoj një nga përgjigjet Tuaja “No comment” dhënë në këtë intervistë.
Pyetje Mapo:
Zoti Ambasador, së fundi në debatin politik ka zënë vend tema e ndryshime kushtetuese. Si i konsideroni ju modifikimet që iu bënë Kushtetutës më 21 prill nga dy partitë e mëdha?
Përgjigje e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë:
“…Miratimi i ndryshimeve në lidhje me sistemin zgjedhor u parapri nga një proces debati të gjerë, që solli si përfundim një shumicë politike të konsiderueshme në votimin e Parlamentit për sistemin  e ri, dhe mendoj se kështu ndodh në të gjitha vendet moderne demokratike. Megjithëkëtë është vështirë të thuhet se i njëjti nivel diskutimi u zhvillua edhe rreth ndryshimeve të tjera kushtetuese, që u miratuan. Dëshiroj të mos komentoj rreth përmbajtjes së ndryshimeve të bëra, pasi është e qartë që kjo përgjegjësi bie mbi shpatullat e klasës politike shqiptare. Gjithsesi, nuk mund të thuhet se këto ndryshime u miratuan pas një debati më të gjerë dhe më të gjatë të mundshëm, dhe sidomos për sa i përket përfshirjes së aktorëve të tjerë të rëndësishëm, si konstitucionaliste dhe shoqëria civile”.
Bravo! Më në fund u shprehët zoti ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Po pse nuk dëshiron të komentosh rreth përmbajtjes së ndryshimeve të bëra? Ju vetë pohoni se “është e qartë që kjo përgjegjësi bie mbi shpatullat e klasës politike shqiptare…”. Pra, është cenuar rëndë boshti mbajtës i godinës shtet-kushtetuta!
Shpatullat e Prezencës së OSBE-së në Tiranë nuk janë për të mbajtur këto lloj përgjegjësish? Atëherë faleminderit për prezencën Tuaj pa shpatulla. Me “no comment” më shpëtuat edhe mua qytetarin e asociuar evropian nga një mendim heretik që më ka përfshirë këto ditët e fundit se: Mos vallë jemi duke reaguar më tepër lidhur me votimin e 21 Prillit në Kuvend? Mos vallë jemi duke u vetëçmendur shumë kohë përpara se një gjë të tillë të na e bëjë dueti uzurpator i pushtetit Berisha-Rama?
Publiku dhe Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës po tubohet në gjithë Shqipërinë. Në sheshe e salla, janë duke thirrur: Referendum! Votimi i 21 prillit ishte në kundërshtim me interesat popullore ose fillimi i një sovraniteti absolut të pushtetit (pra forcimi i pushteti qendror), që më pas do të na shpjerë edhe në një centralizim të autoritetit. Pak autoritarizëm Ju duket deri tashmë në këtë vend? Duke të kërkuar ndjesë për injorancën time në njohjen e mandatit Tuaj, po ju pyes përsëri: Ju me çfarë tagri jeni mandatuar në krye të këtij institucioni zoti ambasador? Vetëm për të konstatuar se “kjo përgjegjësi bie mbi shpatullat e klasës politike?” Apo… duke mos bërë “komente rreth përmbajtjes”, jeni edhe më komod në zyrën Tuaj të hotelit “Sheraton” në Tiranë, që jep edhe çmim edhe siguri më të lartë?! Edhe siguria e këtij vendi ka një çmim, zoti ambasador. Tani edhe pak më të lart si i ftuar në NATO. Ju duhet ta dini më mirë. Vini nga një shtet më tepër se liberal, siç është Holanda, ku demokracia liberale i ka shijuar frytet e saj 100 vjet më parë. Kujtoni pak vetëm 4-5 vitet e shkuara në Shqipëri. Apo i harruat kërkesat e zyrës tuaj vetëm 4 vite më parë? (kur Berisha në opozitë me turma sulmonte Kryeministrinë). Aso kohe, zyra juaj në panik i kërkonte Vjenës ngritjen e nivelit të gatishmërisë dhe “daljes me çadra në malin e Dajtit, nëse turmat e Berishës do të sulmonin Qeverinë dhe institucionet përreth? Ne ishim komshinj në atë kohë dhe herë-herë na vinin edhe shkresat, edhe… zhurmat tuaja. Po sot që Doktori është në pushtet, kujt i vlen kjo armatosje me amendamente plus? A vlejnë sot “informacionet” që do të jepnin më pas për zyrën eprore në Vjenë, kur shpatullat e politikës shqiptare kanë marrë përsëri një barrë tjetër, edhe më të rëndë, ndofta hua nga filozofia e vendeve të Amerikës Latine? Kjo situatë postamenduese në një vend të varfër si Shqipëria, mund të na sjellë një variant të regjimeve të Amerikës Latine të viteve ‘60 dhe ‘70: gjysmë-kapitalist, me një aleancë qeverisëse të përhershme mes elitave të mbyllura. Korrupsioni i deklaruar nga sondazhet e fundit e favorizon akoma më shumë këtë ngjizje aleancash. Vështroni, përsëri pas kësaj kemi mirëkuptime të tjera votash PD-PS. Kjo është thellësisht politikë e vjetër.
Pra, thënë shqip, ajo që po ngurroni t’ia thoni publikut Ju zoti Bosch quhet:
Uzurpim horizontal i pushtetit! Ose, ajo çka do të përfitohet pas kësaj, ndryshon pak nga diktatura, ndonëse do të ketë më shumë legjitimitet, sepse doli nga Kuvendi me një shumicë prej 115 vota. Nuk e besoj se edhe Ju jeni dakord me një politikan finok të së majtës, që u shpreh në TV Klan gjatë një debati me përfaqësues të Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës: “Pse alarmoheni për votimin, edhe ne përfaqësues të zgjedhur nga populli jemi?”, kur vetëm tri ditë më parë tha po në TV Klan se, “ne me këto amendamente shtesë fituam Kushtetutën, por humbëm aleatët!”... Më ndjeni o i votuar nga populli, por edhe Aleksandër Lukashenkoja, pasi i fitoi rëndshëm zgjedhjet e lira për president të Bjellorusisë më 1994, i pyetur nëse do ta kufizonte pushtetin e tij, u përgjigj: “Nuk do të ketë diktaturë. Unë vij nga populli dhe i popullit do të jem”.
Pas qëndrimit tuaj “No comment” në këtë intervistë, më pranoni ju lutem, zoti Ambasador i OSBE në Tiranë një sugjerim. Ju rekomandoj, të shfrytëzoni qoftë edhe për formim politik qëndresën tuaj në Shqipëri, duke lexuar në shezlonin e pishinës në hotel “Sheraton”, librin e gazetarit amerikan Fareed Zakaria, drejtori i revistës “Newsweek”.
“E ardhmja e lirisë, Demokracia joliberale brenda dhe jashtë vendit”.
Në kapitullin “Problemet e Demokracisë”, gazetari i madh Zakaria duke na u drejtuar të gjithëve ne që kemi marrë një mision, pra, për t’ju drejtuar publikut thotë: “Qeveritë që i uzurpojnë pushtete nuk arrijnë të ndërtojnë dot shtete të drejtuar mirë dhe të qëndrueshëm. Qeveri e fortë nuk do të thotë qeveri efektive”… Të tjerat besoj edhe nëse nuk lexon nga punët e mëdha që ke në këtë vend, do t’i dëgjosh gjatë ditëve në vijim shesheve të Shqipërisë. Faleminderit…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›