E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Kamberit, Mjekësia Ligjore kërkon prova shtesë

 

TIRANË- Para se të thonë fjalën e fundit për vdekjen e Gani Kamberit, ekspertët e Mjekësisë Ligjore kërkojnë nga prokurori i çështjes dosjen penale të hetimeve paraprake në vendngjarje. Burime zyrtare pranë organit të akuzës konfirmojnë faktin se Mjekësia Ligjore ka kërkuar dokumente shtesë, para se të dalë në një përfundim zyrtar në lidhje me ekzaminimin e trupit të 50- vjeçarit Kamberi, që pretendohet nga familjarët se është vrarë. “Fillimin e javës që vjen, presim zyrtarisht nga Mjekësia Ligjore përfundimin e akt-ekspertimit të trupit të 50 -vjeçarit Gani Kamberi që u zhvarros ditë më parë. Shpresojmë se Mjekësia Ligjore t’i japë fund dilemës së kësaj çështjeje”,-thonë burime nga grupi hetimor. Por ekspertët e këtij institucioni, edhe pse me trupin e viktimës në tavolinën e punës kanë kërkuar nga prokuroria që të dërgojë disa kopje të procesverbaleve të këqyrjes së vendit të ngjarjes, këqyrjes sipërfaqësore të viktimës, bashkë me fotografitë përkatëse. Prokuroria pohon se këto shkresa janë fotokopjuar dhe dërguar në zyrat e Mjekësisë Ligjore. “Pas ekzaminimit të mbi 70 % të plagës së viktimës Gani Kamberi, është parë e nevojshme këqyrja e procesverbaleve të përshkrimit të kufomës në momentin e gjetjes së trupit dhe fotografitë e bëra nga ekspertët kriminalë të policisë”,-i kanë pohuar prokurorisë burime nga morgu. Pritet që pas shqyrtimit të këtyre procesverbaleve, ekspertët të dalin në një konkluzion të saktë përfundimtar për vrasjen apo vetëvrasjen e denoncuesit të vjedhjes së pronave, Gani Kamberi, pasi ekzistojnë dyshime se ai është vrarë meqenëse në të majtë të pjesës së pasme është verifikuar hyrja e plumbit dhe në të djathtë të ballit, dalja e tij.

REAGIMI

Policia: Hetimi për Kamberin, profesional

TIRANË- Drejtoria e Policisë së Tiranës, me anë të një njoftimi për shtyp vazhdon t’i qëndrojë versionit të parë për vetëvrasje të Gani Kamberit. “Theksojmë faktin që veprimet e para hetimore në lidhje me ngjarjen janë kryer nën drejtimin e pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të prokurorit të gatshëm të Prokurorisë së Rrethit Tiranë. Nisur nga veprimet parahetimore në vendngjarje të kryera me përgjegjësi dhe profesionalizëm nga grupi hetimor, që kanë të bëjnë me këqyrjen e vendit të ngjarjes, pyetjes së dëshmitarëve, këqyrjes sipërfaqësore të viktimës nga ekspertë të të gjitha fushave, duke i referuar materialet Prokurorisë për veprën penale të “Shkaktimit të vetëvrasjes”. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit të çështjes gjatë gjithë periudhës gati njëmujore, kohë në të cilën përpilohen e përfitohen aktet përkatëse të sipërcituara nga ekspertë të fushave përkatëse, pranë Institutit të Policisë Shkencore dhe Institutit të mjekësisë Ligjore, kanë përcaktuar dhe kryer një sërë veprimesh të tjera hetimore për sqarimin e rrethanave, pyetjes së personave të tjerë që tregonin rrethana të dobishme për hetim etj. Nga tërësia e pyetjeve dhe veprimeve hetimore nuk ka rezultuar ndryshimi i cilësimit të veprës penale”,-bën me dije Policia e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›