Itali, vritet një shqiptar, ndoshta për larje hesapesh
ROMA-Vazhdojnë hetimet e të shtënave që ndodhën në një lokal në Romë të Italisë, ku vdiq një qytetar dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Dy keqbërës rreth orës 22 e 30, emrat e të cilëve nuk janë identifikuar ende, kanë ndërhyrë në lokal dhe kanë qëlluar me shumë plumba në drejtim të dy të rinjve shqiptarë, që ndodheshin në brendësi të lokalit.
Njëri prej shqiptarëve, 25 vjeç vdiq sot në mëngjes nga plagët e mëdha që kishte marrë, ndërsa i dyti, 29 vjeç, është shtruar në spitalin "Aurelia Hospital" dhe nuk është në rrezik për jetën.
Mbi rastin po heton skuadra e kuesturës italiane që së bashku me ekspertizën po mbledhin elemente për të qartësuar çështjen. Deri tani policia italiane dyshon se bëhet fjalë për larje hesapesh. Megjithatë policia nuk ka bërë të ditur emrat e dy shqiptarëve, viktima të aktit kriminal.