E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet 19-vjeçari, vodhi katër lokale në dy javë

Policia e Komisariatit të Tepelenës ka kapur mesnatën duke u gdhirë e diel një person që ishte duke vjedhur në një minimarket, i cili ishte i skeduar dhe ndiqej qysh më parë nga policia si i dyshuar për një seri tjetër vjedhjesh me thyerje në disa lokale të qytetit të Tepelenës. Burime të kësaj policie bëjnë të ditur se dje, rreth orës 08:00 të mëngjesit, nga ana e specialistëve për Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tepelenë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Dorian Zhupa, 19 vjeç, lindur dhe banues në Tepelenë. Shtetasi Dorian Zhupa u kap nga policia duke vjedhur në një minimarket të shtetasit F.C., në lagjen "Selam Musai" të Tepelenës.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore rezultoi se ky person ka vjedhur të shtunën edhe lokalin e shtetasit F.D. në lagjen "Tre Heronjtë" në qytetin e Tepelenës. Sipas të njëjtit burim, ky shtetas, më datën 27 tetor, ka vjedhur me thyerje në lagjen "Tre Heronjtë" lokalin e shtetasit D.S, ndërsa më 17 tetor lokalin e shtetasit SH.A., në qendër të qytetit të Tepelenës.

Nga specialistët e Parandalimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me specialistët e Krimeve Kundër Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, është bërë dokumentimi me prova ligjore i këtyre veprave penale, si dhe sekuestrimi i automjetit tip "Mercedes Benz" me targa TR1123J, që përdorej nga personi i sipërpërmendur për të realizuar vjedhjet. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të "Vjedhjes", parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

En.Se.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›