E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia në Itali, për një sherr mes dy familjeve shqiptare

Sherri për konfliktin e krijuar me një tjetër familje shqiptare janë shkaku i vrasjes së trefishtë në Pavia të Italisë. Prokuroria italiane zbardh motivin e vërtetë të tragjedisë, bazuar në rrëfimin e autorit Alfred Melyshi.

Agjencitë e lajmeve, që i referohen prokurorisë së zonës ku ndodhi krimi, sqarojnë se arsyeja që shtyu autorin t‘i merrte jetën një fëmije 3 vjeç, nënës dhe tezes së saj janë mosmarrëveshjet që ai kishte me vëllain dhe kunatën.

Sipas prokurorit të çështjes, Antoni akuzonte të vëllanë, Alfred Melyshi, si shkaktar të një konflikti të krijuar me një familje tjetër shqiptare dhe për këtë arsye i kishte kërkuar atij largimin nga shtëpia ku jetonin prej vitesh bashkë.

"Ishte vullneti i Zotit", mësohet t‘u ketë thënë Alfred Melyshi karabinierëve, ndërsa ata e transportonin për në spital, pasi kishte kryer krimin makabër.

Lajmi për masakrën në Pavia të Italisë, ku kunati i mori jetën mizorisht mbesës së tij 3-vjeçare, nënës së fëmijës dhe motrës së saj, ka tronditur të afërm të familjes Melyshi.

Të shpërngulur nga fshatrat e thellë të Mirditës, zhvendosur në fshatin Sanxhak të Laçit vite më parë, familja Melyshi sot ka hapur dyert e zisë. Nuk kanë dashur të prononcohen për çfarë ka ngjarë në familjen e tyre, por nuk dinë t‘i japin një përgjigje gjithë asaj që ka ndodhur pasditen e së shtunës.

Gjithçka ka ndodhur në pak minuta kur 24-vjeçari Alfred Melyshi, tashmë i ndaluar nga policia, vrau me thikë në banesën e tyre, kunatën Rina Melyshin 24 vjeçe, vajzën e saj 3-vjeçare dhe motrën e Rinës, 19-vjeçaren Ornela Ndoji.

Në momentet e para pas ngjarjes u dyshua se krimi kishte ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi familja Melyshi kishte përplasje me një tjetër familje shqiptare. Mbrëmjen e dy netëve më parë, dy persona të identifikuar si G.P. 26 vjeç, dhe A.G. 31 vjeç, shqiptarë me banim në Stradella, kanë qëlluar me katër plumba ndaj apartamentit të familjes Melyshi në rrugën "Buozzi", në periferinë lindore të Stradellës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›