Grabitën makinën e gjakovarit, kapen tropojanët
Dy adoleshentë nga Bajram Curri, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, janë arrestuar nga Policia e Hasit natën e së shtunës, ndërsa tentonin të hynin në magjistralen Kukës-Tiranë me një automjet të grabitur. Burime të Komisariatit të Hasit tregojnë se të rinjtë nga Bajram Curri, 16 dhe 17 vjeç, kishin udhëtuar në qytetin e Gjakovës, ku për t‘u kthyer në Tropojë në orët e vona kishin prenotuar një taksi. Gjatë rrugës për në Tropojë, të dy adoleshentët, pasi kanë kaluar Doganën e Qafë-Morinës, kanë marrë rrugën e Hasit, ndërsa në një terren të caktuar kanë urdhëruar taksistin të zbresë në mes të rrugës. Ky i fundit ka telefonuar Policinë e Gjakovës, pasi për fat të tij në afërsi të kufirit ka pasur valë të celularit, ndërsa Policia e Gjakovës ka komunikuar me atë të Hasit. Komisariati i Krumës ka nisur menjëherë një efektiv të gatshëm në drejtimin e raportuar dhe një orë pas ngjarjes, të dy adoleshentët janë kapur në rrugë drejt Kukësit, ende në territorin e rrethit të Hasit. Të dy personat janë vënë në pranga, ndërsa aty nga mesi i natës është arritur edhe gjetja e taksistit, të cilit i është kthyer autovetura e grabitur. Të rinjtë kanë thënë se kishin menduar se mund të arrinin deri në Tiranë, ku do të kërkonin ta shisnin mjetin e grabitur për të fituar ndonjë lek. Pas viteve 1997-2000, kjo është një nga ngjarjet e rralla të këtij lloji të ndodhura në rajonin e kufirit, ndërkohë që nuk kanë munguar vjedhjet e automjeteve nga Kosova për t‘i shitur në Shqipëri apo e anasjella, kryesisht mjete të prodhimit të fundit, për të cilat thuhet se sillen nga Perëndimi gjithashtu si makina të vjedhura.
S.Dida
S.Dida