E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda nga Kosova, dy vëllezër në pranga

Transporti i mallrave kontrabandë nga Kosova në Shqipëri, kryesisht teknologji e bardhë (lavatriçe, frigoriferë etj.) dhe ushqimore është akuza më rëndomtë që dëgjohet në Kukës kur bie fjala për doganat e Morinit dhe atë të Qafës së Prushit. Dy vëllezër nga Morini, Gazmend dhe Trandafil D. janë arrestuar nga policia e kufirit natën e së shtunës, duke gdhirë e diela, pasi në kamionin e tyre me targa Kukësi, ata transportonin më shumë se dhjetë frigoriferë, stufa etj., të cilat synonin t‘i kalonin pa doganë, për t‘i futur në tregun e brendshëm. Një burim i policisë tha se të dy vëllezërit kanë tentuar të kalojnë aty nga ora 03:00 e natës, ashtu siç bëhet rëndom për rastet e kontrabandës, por kanë rënë në prangat e policisë, pasi gjatë kontrollit u pa se malli i tyre nuk ishte zhdoganuar sipas rregullave. Në doganat e Qarkut të Kukësit, shoferët mund të kalojnë mallra nga Kosova në Shqipëri vetëm në sasi të vogla, deri në 300 euro si vlerë, e konsideruar kjo si blerje për konsum familjar, por kur malli e kapërcen këtë vlerë, atëherë konsiderohet si një tregti për të cilën duhet t‘u nënshtrohesh rregullave doganore. Dy vëllezërit janë shpallur të arrestuar në flagrancë dhe ndaj tyre vazhdon ndjekja penale për kontrabandë mallrash.

s.d.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›