Çështja "Dajti", si u pranua nga Gjykata Europiane e Strasburgut
Dritan Dajti, i shndërruar tashmë në një "legjendë kriminale" pas vrasjes së katër oficerëve të policisë, duket se nuk ka reshtur kurrë së kërkuari atë që ai dhe familja e tij e kanë quajtur për vite me radhë "drejtësi e mohuar". Pikërisht më 19 qershor të vitit 2008, katër vite pasi kishte humbur të gjitha ankimimet në të gjitha shkallët e drejtësisë shqiptare, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg i hapi dritën jeshile. I cilësuar si një nga tetë personat më të kërkuar në Shqipëri dhe njëkohësisht i skeduar në listën e personave në nivelin më të lartë të rrezikshmërisë nga Interpoli, Dajti në arrati dukej se nuk shpresonte të gjente më në Shqipëri të drejtën që pretendonte ai së bashku me avokatët. Arratisja spektakolare nga Gjykata e Tiranës më 17 nëntor të vitit 2003 ndikoi që gjykatat t‘i "vinin vulën" çështjes së tij, duke i dhënë një dënim të ashpër, i cili mori formë të prerë brenda 12 muajve. Por pikërisht kur dukej se gjithçka kishte marrë fund dhe nuk kishte alternativë tjetër për Dajtin, veçse vuajtjes së dënimit pas hekurave të burgut, Gjykata e Strasburgut vendosi të pranojë ankimin e bërë prej tij dhe të marrë në shqyrtim Vendimin nr. 711. Sipas këtij vendimi ai u dënua në mungesë me 20 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë më datë 29 qershor 2004. Dy shkallët e tjera të Gjyqësorit (Apeli dhe Gjykata e Lartë) e lanë në fuqi këtë vendim, duke i shuar çdo shpresë 38-vjeçarit i cili këmbëngulte se jo vetëm nuk ishte fajtor, por se nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjet për të cilat akuzohej. Pranimi i ankimimit të tij nga Gjykata e Strasburgut, pavarësisht nga krimi i rëndë që kreu më 7 gusht në Durrës, i jep një shans Dajtit për të vërtetuar pretendimet e tij para se të shndërrohej në kapo të krimit shqiptar dhe të merrte jetën e katër uniformave blu. Fashikulli me kontestimet për Vendimin nr. 711 mbërriti në sekretarinë e Gjykatës së Strasburgut më datë 19 qershor 2008. Trupa e ekspertëve e kësaj gjykate, pasi shqyrtoi me imtësi pretendimet e Dajtit dhe dosjen e tij, brenda tri javësh vendosi ta pranojë ankimimin. Më datë 17 korrik 2008, Seksioni i Katërt i Gjykatës së Strasburgut e njoftoi Dajtin nëpërmjet një raporti zyrtar se ankimimi i tij ishte pranuar. Dosja gjyqësore e emërtuar nga Gjykata e Strasburgut si çështja "Dajti kundër Shqipërisë" mban numrin 33406/08. Në këtë raport thuhet qartësisht: "Rasti juaj do të trajtohet nga Gjykata, bazuar te dokumentet dhe të dhënat e paraqitura nga ana juaj". Po në këtë raport, shkruhet: "Është e rëndësishme që të njoftoni Gjykatën për çfarëdo zhvillimi të rëndësishëm të çështjes suaj dhe të vini në dispozicion të saj çdo vendim të nevojshëm marrë nga organet e brendshme".