Arrestohet 20-vjeçari, kërkohej për plagosjen në mes të qytetit
DURRËS - Arrestohet nga blutë e Durrësit 20-vjeçari Klevis Çuni "për vrasje të mbetur në tentativë në bashkëpunim". Ngjarja për të cilën kërkohej kishte ndodhur më 1 nëntor të vitit të kaluar, në vendin e quajtur "Rruga Tregtare" e në qytetin e Durrësit. Në këtë vend ai ka pasur një konflikt me dy persona dhe sherri mes tyre ka kaluar në përdorimin e mjeteve të forcës. Në krah të tij ndodhej edhe Enis Krasniqi, që ka marrë pjesë si aktor i këtij konflikti. Ndaj tyre, sipas burimeve të policisë, Klevisi ka përdorur një armë të klasifikuar si armë të ftohtë. Nga ngjarja kanë mbetur të plagosur pala kundërshtare, ndërsa Klevisi është larguar nga vendi i ngjarjes dhe më vonë është shpallur në kërkim për vrasje në bashkëpunim të mbetur në tentativë. Policia pas disa kohësh ka arritur që të saktësojë vendin e strehimit të të kërkuarit Klevis Çuni dhe në orët e pasdites së të mërkurës kanë arritur që ta vënë nën pranga.
Peshkatarët vlonjatë kapin peshkaqenin “pëllumb” 4 metra të gjatë
VLORË- Peshkatarë vlonjatë kanë kapur ditën e djeshme peshkaqenin e parë për vitin 2009. Gjithashtu në rrjeta ka rënë dhe një lloji peshku i rrallë, i cili ka shumë vlerë me emrin peshku shpat që ka një shije shumë të mirë dhe një çmim të konsiderueshëm. Peshkaqeni “Pëllumb”, rreth katër metra i gjatë, peshonte afërsisht 370 kg dhe u kap në afërsi të ishullit të Sazanit, në një thellësi 150 metra. Peshkatarët e anijes “Melisa” kishin hedhur rrjetat për peshkim në zonën në veri të ishullit të Sazanit.
Dje pasdite ata kanë mbledhur rrjetat, por në ngritjen e tyre kanë hasur në një peshë të rëndë. Peshkatarët kanë filluar të dyshojnë te pesha e rëndë e rrjetës. “Për momentin, - thotë njëri prej peshkatarëve, - kujtuam se rrjeta kishte kapur ndonjë hekur, por kur doli rrjeta në sipërfaqe pas 30 minutash pamë se kishin kapur një peshkaqen”. Sipas peshkatarëve, peshkaqeni ishte 4 metra i gjatë, me një peshë prej 370 kg dhe është i llojit “Pëllumb”. Peshkaqeni është kapur nga rrjetat në një thellësi prej 150 metrash, shumë pranë ishullit të Sazanit, në veri të tij. Gjatë vitit 2008 peshkatarët vlonjatë kanë kapur 3 peshkaqenë në këtë zonë. Më i madhi ka qenë rreth 500 kg. Për vitin 2009 është peshkaqeni i parë që kapin rrjetat e peshkatarëve të Vlorës në gjirin e Vlorës, në afërsi të ishullit të Sazanit në po atë zonë ku janë kapur dhe peshkaqenët e tjerë më parë.
8 Janar 2009