Kushtetuesja: Ligji i vitit 2005 deformon frymën kushtetuese
“Me anë të dispozitave të këtij ligji është normuar juridikisht organizimi i strukturave të brendshme të Konferencës Gjyqësore Kombëtare si dhe është përcaktuar sistemi i përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përmes votimit të tërthortë në dy nivele, ku niveli i parë, i përbërë nga shumica absolute e të gjithë gjyqtarëve, të organizuar në Konferencat Gjyqësore Rajonale, zgjedh nivelin e dytë, Konferencën Gjyqësore Kombëtare, që është praktikisht përzgjedhësja e kandidaturave fituese. Sipas ligjit, përbërja e Konferencës Gjyqësore Kombëtare është kufizuar vetëm te gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, kryetarët e gjykatave të shkallës së parë dhe kryetarët e gjykatave të apelit, të cilët janë anëtarë të saj, për shkak të detyrës që kryejnë, si dhe tek anëtarët e tjerë që zgjidhen nga Konferencat Gjyqësore Rajonale. Nga përmbajtja e kësaj dispozite rezulton se Këshilli i Lartë i Drejtësisë (si një organizëm me rëndësi kushtetuese, i përbërë në shumicën e tij nga gjyqtarë, të cilët, në ushtrimin e funksionit të tyre si të tillë, realizojnë lidhjen e këtij organi me korpusin gjyqësor), është ngritur për të garantuar funksionin vetëqeverisës të gjyqësorit. Frymën e korporatës në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kushtetutëbërësi e ka përfshirë me synimin për ta bërë gjykatën të pavarur nga ndërhyrjet e legjislativit dhe të Ekzekutivit (shih vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr. 14, datë 22.05.2006), nr. 35, datë 10.10.2007, nr. 17, datë 25.07.2008). Përderisa ndodhemi përpara dispozitave ligjore që nuk mbështeten në parimet dhe rregullimet e specifikuara kushtetuese, por në tejkalime jashtë kushtetuese, si në formë ashtu edhe në përmbajtje, Gjykata thekson se është prekur, veç të tjerash, edhe parimi i shtetit të së drejtës, i shprehur me përparësinë e normave të Kushtetutës në raport me normat e tjera ligjore. Ky është një qëndrim i konsoliduar i mbajtur nga gjykata, në disa çështje të tjera analoge, në të cilat ka theksuar se ‘atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta nuk mund ta bëjë ligji’ (shih vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 29 datë 09.11.2005). Në vijim të shqyrtimit të çështjes, në kuptim dhe të nenit 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Gjykata vlerëson se neni 147, pika 1, që ka sanksionuar kompetencën e Konferencës Gjyqësore Kombëtare për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga gjyqtarët e të gjitha niveleve mbetet një dispozitë e zbatueshme në mënyrë të drejtpërdrejtë”.
8 Janar 2009