Gjykata Kushtetuese “bllokon” zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KLD-së
Habjon Hasani
Tiranë - Viti 2009 ka sjellë një “dhuratë” të hidhur për gjyqtarët, anëtarë të Konferencës Kombëtare të Gjyqësorit. Këtë vit ka hyrë në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar ligjin e vitit 2005, i cili sanksiononte mënyrën e zgjedhjes dhe të përbërjes së kësaj Asambleje, kësisoj edhe zgjedhja dhe përbërja e anëtarëve të Asamblesë, në bazë të ligjit të vitit 2005, kthehet në NUL. Por, Kushtetuta e Shqipërisë i ka caktuar kësaj Konference të drejtën për zgjedhjen e disa prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e këtë muaj pritet të zëvendësojë tre anëtarë të KLD-së, të cilëve u ka përfunduar mandati. Pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese automatikisht anëtarët ekzistues të Konferencës Gjyqësore konsiderohen si të zgjedhur nga një ligj antikushtetues dhe ky fakt mund të ndikojë për bllokimin e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të KLD-së. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është taksativ dhe përfundimtar, ndërsa në arsyetimin që kjo gjykatë i ka bërë vendimit për shfuqizimin e Ligjit nr. 9399, datë 12.05.2005 “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”, ka arsyetuar se mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve të Konferencës në bazë të këtij ligji nuk është gjithëpërfshirëse dhe lë vend për ndikime të njëanshme tek anëtarët e saj gjatë vendimmarrjes. Kërkesën për rrëzimin e këtij ligji e paraqiti Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë.
Arsyetimi
Ligji i vitit 2005 parashikonte që anëtarët e Konferencës Kombëtare të vinin si përfaqësues të konferencave rajonale, ndërsa fryma e Kushtetutës kërkonte që të kishte një akses të drejtpërdrejtë të të gjithë gjyqtarëve në nivel kombëtar, dhe jo nëpërmjet përfaqësuesve të deleguar në Konferencën Kombëtare. Sipas Gjykatës Kushtetuese, “me përcaktimin që i është bërë Konferencës Gjyqësore Kombëtare, si organ përfaqësues i gjyqtarëve, por jo si një organizëm që përfshin tërësinë e gjithë gjyqtarëve, ligjvënësi ka bërë një rregullim të ndryshëm nga sa parashikon Neni 147 i Kushtetutës. Gjykata vëren se Kushtetuta nuk i ka lënë ndonjë hapësirë ligjvënësit, për t’i dhënë Konferencës Gjyqësore Kombëtare fizionominë e një organi përfaqësues të Gjyqësorit dhe, aq më pak, që zgjedhjen e saj ta realizojë një tjetër organizëm, siç është Konferenca Gjyqësore Rajonale”.
Konferenca
Konferenca Gjyqësore Kombëtare përmendet për herë të parë në Nenin 147, pika 1 e Kushtetutës, si një organizëm vendimmarrës. Rregullimi i parashikuar në dispozitën kushtetuese të sipërcituar, sipas të cilës 9 anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, vendos një raport të drejtë ndërmjet autoritetit me të cilin vishen këta gjyqtarë ndaj të gjithë gjyqtarëve të rretheve gjyqësore dhe të apeleve, nga njëra anë, dhe të drejtës së çdo gjyqtari, si anëtar i Konferencës Gjyqësore Kombëtare për të marrë pjesë në zgjedhjen e 60% të anëtarësisë së këtij institucioni me rëndësi kushtetuese, nga ana tjetër. Pra, funksioni parësor i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, i parashikuar nga vetë Kushtetuta, konsiston në zgjedhjen, nga e gjithë trupa e Gjyqësorit, të 9 përfaqësuesve të tij (anëtarë të KLD-së), në organin që vendos për emërimin e transferimin e gjyqtarëve, si dhe për përgjegjësinë e tyre disiplinore sipas ligjit.
8 Janar 2009