E Diel, 1 Nëntor 2026

LRI-ja, protestë për mungesën e ngrohjes në shkolla



Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi dje një protestë te gjimnazi “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, për mungesën e ngrohjes në klasa. LRI-ja kishte zgjedhur këtë shkollë të mesme, që mbahet si një ndër shkollat më të mira në Tiranë, kur dihet që shkollat e tjera janë në kushte edhe më të vështira, pa ngrohje, me xhama të thyer, me dyer të shkatërruara që nuk mbyllen mirë, si dhe me suvatë që janë duke rënë. Përfaqësuesit e LRI-së shpërndanë çaj të ngrohtë dhe batanije për gjimnazistët e “Petro Ninit”, si simbol të protestës kundër autoriteteve përgjegjëse që nuk krijojnë kushtet më minimale për mësimin e nxënësve. Në protestën e zhvilluar para gjimnazit “Petro Nini”, të rinjtë e LRI-së i kanë bërë thirrje kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që të marrë masa urgjente në mënyrë që në gjimnazet e Tiranës të sigurohet ngrohja. “Jemi këtu para gjimnazit “Petro Nini” për të cilin thonë se është një ndër gjimnazet më të mira në Tiranë. Në qoftë se mund të shkoni brenda dhe të inspektoni të gjitha klasat, do të shikoni që klasat ku zhvillojnë mësimin të rinjtë shqiptarë, të cilët janë të lirë, janë më të ftohta sesa qelitë e burgjeve shqiptare”, - tha sekretari i Përgjithshëm i LRI-së Besian Pesha.

Minxhozi: “Qeveria të akordojë fonde për komunat e bllokuara nga dëbora”

Partia Socialiste kërkon nga qeveria që të ndërhyjë konkretisht për t’u ardhur në ndihmë zonave malore të bllokuara nga kushtet e vështira të motit. Deputeti socialist Qemal Minxhozi kërkoi nga qeveria që të akordojë një fond të posaçëm për të zhbllokuar rrugët dhe për të siguruar furnizim me ushqime dhe ilaçe për banorët që jetojnë në komunat e izoluara nga reshjet e dëborës. “Qeveria, në vend që t’u alokojë fonde komunave për zhbllokimin e rrugëve, të alokojë fonde për ilaçe për qendrat shëndetësore, të sigurojë soba dhe dru zjarri për nxënësit e shkollave të fshatrave, tallet në mbledhjen e qeverisë me shifrat e rritjes ekonomike të vendit. Ka tre vjet që opozita kërkon që qeveria në buxhetin e saj t’u alokojë një fond të veçantë të gjitha komunave e bashkive për rastet e emergjencës. Një situatë si kjo e tanishmja tregon qartë domosdoshmërinë e rishikimit urgjent të buxhetit të vitit 2009 për t'u dhënë sa më parë një fond të veçantë të gjitha komunave për përballimin e situatave emergjente.
Ndërkohë që situata ngelet ende problematike, asnjë ministër i qeverisë nuk ka qenë në asnjë komunë për të parë nga afër situatën dhe për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve”, - tha Minxhozi.

8 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›