Pas 20 janarit pritet zëvendësimi i tre anëtarëve të KLD-së
Këshilli i Lartë i Drejtësisë këtë vit duhet të kryejë zëvendësimin e tre anëtarëve që e gëzonin këtë post prej pesë vitesh me radhë. Anëtarët Edmond Islamaj dhe Besim Trezhnjeva janë zgjedhur në konferencën e pesë viteve më parë, në ditët e para të dhjetorit. Ata arritën të përzgjedhshin mes shumë kandidaturave të tjera falë votës së shumë gjyqtarëve. Të njëjtin fat ka edhe anëtari Admir Thanza që është dhe në të njëjtën kohë gjyqtarë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Thanzës i mbaron mandati në fund të muajit janar dhe vendi i tij do të shënojë tre vende vakante për t’u zëvendësuar nga gjyqtarët. Sipas ligjit gjyqtarët e zgjedhur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë duhet të kenë shërbyer në detyrë për të paktën dhjetë vjet dhe anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, duhet të jenë juristë, jo gjyqtarë, me të paktën 15 vjet përvojë. Përjashtohen nga shërbimi në KLD prokurorët, “anëtarët e organeve drejtuese apo ekzekutive” të partive politike ose ata që aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e avokatisë në gjykatën e shkallës së apelit apo të rrethit. Zyrtarisht është mësuar se Konferenca Kombëtare Gjyqësore të zhvillohet pas datës 20 janar. Megjithatë, vendimi i Kushtetueses duket se ka mjegulluar këtë proces pasi anëtarët aktualë të Konferencës Kombëtare pas këtij vendimi rezultojnë të zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.
8 Janar 2009