Varfëria merr jetën e dy personave në periferi të Durrësit
DURRËS – Shifra alarmante të vetëvrasjeve në rrethin e Durrësit. Burimet policore raportojnë për dy raste brenda 24 orësh. Sipas tyre, një 40-vjeçar është vetëhelmuar më fostoksinë në Lagjen Nr. 14 të qytetit të bregdetar. Nga të dhënat zyrtare, bëhet e ditur se viktima është shtetasi Selami Rexhepi, me banim në Shkozet. Ai ka konsumuar një sasi fostoksine në kushte të rënda psikologjike. Familjarët kanë kërkuar ndihmën e fqinjëve, të cilët e kanë transportuar në gjendje kome drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Me gjithë ndihmën e shpejtë që i është dhënë nga personeli mjekësor i këtij institucioni, 40-vjeçari nuk ka mundur t’i bëjë ballë lëndëve toksike që kishte gëlltitur dhe pas disa orësh ka vdekur. Sipas fqinjëve, Rexhepi ka qenë një njeri që luftonte çdo ditë për mbijetesë pasi kishte të ardhura të pakta financiare për të mbajtur familjen. Ata pohojnë se aktin vetëflijues 40-vjeçari mund ta ketë marrë në kushtet e varfërisë ekstreme, në pamundësi për të zgjidhur problemet që i kishte sjellë jeta atij dhe familjes. Selami Rexhepi kishte dy fëmijë dhe të shoqen. Ai kishte ardhur prej vitesh nga Kavaja dhe jetonte në lagjen e Shkozetit, në zonën me të largët në pjesën ku ndahet traseja hekurudhore për në Tirane. Dy ditë më parë në të njëjtën zonë u gjet i varur në shtëpi Xhevahir Vata, lindur në Tropojë dhe banues në Lagjen Nr. 14. Burimet policore kanë bërë me dije se nga këqyrja e kufomës rezultoi se 32-vjeçari ishte vetëvarur me litar në pjesën e pasme të shtëpisë ku ai jetonte me qira, së bashku me nënën dhe motrën e tij. Sipas deklarimeve të familjarëve, rezulton se viktima ishte i papunë, në kushte të rënda ekonomike dhe disa herë ishte shprehur se do të vriste veten për shkak të varfërisë.
8 Janar 2009