E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet 22-vjeçari që kanosi kryetarin e PS-së

Një ditë pas kanosjes së kreut të degës së PS-së në fshatin Gjoçaj të Rrethit të Peqinit, policia prangos një 22-vjeçar si autor të ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare të policisë, bëhet e ditur se në orën 22:00 të së martës është prangosur 22-vjeçari Agim Kumbaro, banues në Elbasan, si autor i ngjarjes së ndodhur orës 21:30 të së martës në fshatin Gjoçaj të Rrethit të Peqinit. Ndalimi i të riut është bërë sapo kreu i degës së PS-së për këtë fshat, Nazmi Xhyra, ka njoftuar sallën operative se po kërcënohej nga një person në telefon. Ka qenë numri i celularit ai që e ka ndihmuar policinë të identifikojë personin dhe ta kapë atë pas rreth 30 minutave nga denoncimi. Sipas deponimeve të kryesocialistit të këtij fshati, mësohet se kërcënimet ndaj tij me anë të telefonit ishin bërë për shkak të detyrës që mbante dhe në lidhje me fushatën elektorale që drejtonte. Pretendimet e Xhyrës janë hedhur poshtë nga policia e Elbasanit. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se kanosja e Xhyrës nuk është për motive politike, por për arsye banale. Të njëjtat burime pohojnë se pas denoncimit të kreut të PS-së në fshatin Gjoçaj kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, por është konstatuar se 22-vjeçari Agim Kumbaro nuk është përfaqësues i ndonjë formacioni politik dhe nuk rezulton që ngjarja të ketë motive politike. Sipas policisë, arrestimi i 22-vjeçarit u bë me akt motivimi të veçantë, për shkak të rrezikshmërisë së personit, pasi Kumbaro ka qenë i dënuar një herë më parë për veprën penale "Goditje e punonjësit të policisë për shkak të detyrës".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›