E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk pranoi të paguante qëndrimin në plazh, plagoset adoleshenti

Një adoleshent është plagosur në plazhin e Tushemishtit nga një burrë 48-vjeçar. Sherri që ka shkuar deri në plagosjen me mjete të forta të 17-vjeçarit nga Pogradeci ka ndodhur dje pak pas mesditës. Burime nga policia lokale sqarojnë se gjithçka ka ndodhur rreth orës 12:45, kur sipas autorit, 17-vjeçari që kishte shkuar për t‘u larë në liqen, nuk ka pranuar të paguajë faturën për konsumin në lokal dhe shfrytëzimin e një shezlongu. Të njëjtat burime pohojnë se autori, Agim Çekiçi, kishte rrethuar zonën e plazhit, duke e quajtur atë pjesë si pronë private, edhe pse adoleshenti nga ana e tij ka deklaruar se ka qenë në pjesën e plazhit publik, që shfrytëzohet nga të gjithë pushuesit. Në momentin kur i riu ka refuzuar ta paguajë, 48-vjeçari nga fshati Buçimas i Pogradecit ka kërkuar ta largojë me forcë 17-vjeçarin me inicialet Gj.G., me pretendimin se, në rast se duhej të shfrytëzonte plazhin, duhej t‘i paguante atij krejt shërbimin, pasi sipas Çekiçit pjesa e plazhit është në pronësi të tij. Kaq ka mjaftuar që sherri të ndizet deri në përleshje fizike dhe adoleshenti nga Pogradeci të mbetet i plagosur. Pasi e ka larguar me forcë nga plazhi, 48-vjeçari Agim Çekiçi i ka kërkuar me insistim të riut të kryejë pagesën, duke e kërcënuar atë. Ndërsa ka hasur në kundërshtimin e Gj.G., autori ka marrë një dru dhe e ka goditur të riun, duke i shkaktuar plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Ndaj 48-vjeçarit është ngritur akuza e plagosjes së lehtë me dashje, ndërkohë që gjatë shoqërimit Agim Çekiçi ka kundërshtuar forcat e policisë. Ndërsa 17-vjeçari nga Pogradeci, pasi është mjekuar pranë spitalit civil të qytetit, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›