E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet 27-vjeçari, vodhi motorin në Tiranë

Një 27-vjeçar nga Tropoja është arrestuar dje nga policia lokale sepse akuzohej për vjedhjen e një motoçiklete në Tiranë. Burime të policisë tregojnë se Kongres Syla, nga fshati Shumicë i Tropojës, kishte vjedhur një muaj më parë motoçikletën e shtetasit nga Tropoja me banim në Tiranë, ndërsa ky i fundit e kishte parkuar para një dyqani ku punonte. Madje ka qenë vetë pronari, i cili jo vetëm që ka raportuar rastin në polici, por edhe ka hetuar privatisht, duke identifikuar vjedhësin. Pronari i motorit i ka prirë policisë deri në shtëpinë e autorit të dyshuar, ku gjatë kontrollit u gjet motori, i cili iu kthye të zotit, ndërsa 27-vjeçari u arrestua në flagrancë. Gjithashtu, dje në Tropojë, policia lokale ka arrestuar në flagrancë një 20-vjeçar nga Komuna e Fierzës për armëmbajtje pa leje. Burime zyrtare të drejtorisë së policisë së qarkut tregojnë se Petrit Pepkola u arrestua mbrëmjen e së shtunës, pasi gjatë një kontrolli fizik që policia po kryente në një autoveturë me targa Tropoje i riu ishte frikësuar, gjë që kishte nxitur kontrollin e policisë. Atij i ishin gjetur në xhep një pistoletë TT dhe një krehër me dhjetë fishekë, të cilat u sekuestruan nga policia ndërsa autori u vu nën arrest me burg pa afat me akuzën e armëmbajtjes pa leje.

s.d.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›