E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet 29-vjeçari për pastrim parash të shumës 3 milionë USD

Vaid Tarja, një biznesmen që merrej me nxjerrjen e mineraleve dhe mbledhjen e inerteve, është arrestuar për evazion fiskal pas një hetimi 1-vjeçar

ELBASAN Arrestohet nën akuzat për disa vepra penale një sipërmarrës nga Tirana, që ushtronte aktivitet të paligjshëm në Elbasan dhe në disa qytete të tjera të vendit. Drejtoria kundër Krimit Financiar dhe Drejtoria e Operacioneve Speciale në Departamentin kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan kanë finalizuar dje operacionin e koduar “CLEAN”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i 29-vjeçarit Vaid Tarja 29 vjeç, banues në Tiranë, pronar i shoqërive “U&E MANAGMENT”, “ALBA-CLEAN”, dhe “SILVIO”.

“Bosi” akuzohet për veprat penale të “shpërdorimit të kompetencave”, “fshehjes së të ardhurave”, “mospagimit të taksave dhe tatimeve”, pasi dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme një shumë të konsiderueshme prej 3.705.555 USD, të cilën ka tentuar ta investojë në biznese të ligjshme, duke konsumuar kështu dhe veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Hetimi

Arrestimi i Vaid Tarjes u bë i mundur pas një hetimi prej rreth një viti, me përdorim dhe të metodave speciale të hetimit, të zhvilluara nga Drejtoria kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë ushtrimit të veprimtarisë të shoqërisë “U&E Managemant” sh.p.k, në shtator të vitit 2010 është realizuar një shitje në një vlerë prej 3.705.555 USD, shitje kjo e padeklaruar në organet tatimore. Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore rezultoi se fshehja e shitjes ka qenë e qëllimshme për mosdeklarimin e të ardhurave, duke iu shmangur kështu dhe detyrimeve tatimore. Shuma prej 3.705.555 USD rezultoi që të jetë tërhequr nga shtetasi Vaid Tarja, nga llogaritë bankare të shoqërisë “U&E Managemant” sh.p.k, duke qenë dhe në detyrën e administratorit të kësaj shoqërie.

Investimi

Të gjithë këtë shumë të përfituar në mënyrë të paligjshme, ky shtetas ka tentuar të investojë në biznese të ligjshme, duke krijuar dhe shoqëri të ndryshme. Në përfundim të hetimeve të kryera, materialet në ngarkim të shtetasit Vaid Tarja i kanë kaluar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila bazuar në materialet e grumbulluara ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Menjëherë me marrjen e këtij vendimi, strukturat e Policisë së Shtetit bënë të mundur ekzekutimin e masës së vendosur, duke kryer arrestimin e Vaid Tarjes. Operacioni për arrestimin e 29-vjeçarit u konkludua me sukses ditën e djeshme në qytetin e Tiranës, nga një operacion i përbashkët i Drejtorisë kundër Krimit Financiar, Drejtorisë së Operacioneve Speciale në Policinë e Shtetit dhe forcave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.

Prokurori

Lidhur me ndalimin e bujshëm, prokurori i Elbasanit, Elvin Gokaj u shpreh se “Prokuroria e Elbasanit kishte kohë që kishte nisur hetimet për shtetasin Vaid Tarja, pasi sipas të dhënave rezultonte që ai ushtronte aktivitet të paligjshëm në Elbasan dhe në disa rrethe të tjera. Në qarkun e Elbasanit, i akuzuari ushtronte aktivitet në fushën e inerteve dhe shitjes së mineraleve në Elbasan, Peqin Librazhd, por aktiviteti i tij shtrihej edhe në Fier, Tiranë e qytete të ndryshme të vendit”. Prokurori i Elbasanit u shpreh se Vaid Tarja ka hapur firma të ndryshme në Elbasan për të përligjur shumën e padeklaruar. Sot Gjykata e Elbasanit vendos për të masën e sigurisë. Fatos Salliu

Akuza

29-vjeçari akuzohet për veprat penale të “shpërdorimit të kompetencave”, “fshehjes së të ardhurave”, “mospagimit të taksave dhe tatimeve”, pasi dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme një shumë të konsiderueshme prej 3.705.555 USD, të cilën ka tentuar ta investojë në biznese të ligjshme, duke konsumuar kështu dhe veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›