E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oficeri i SHISH, zbulohet një vrimë plumbi në tavanin e makinës

SHKRUAN: Habjon Hasani 28-10-2011 13:03

Hetimet për vdekjen e mistershme të Isa Çopës shtojnë dyshimet për një eliminim të tij. Pistoleta “Makarov” dërgohet për ekspertizë, ekspertë të SHISH-it hetojnë mbi pistën e vrasjes për shkak të detyrës

Tiranë Një vrimë plumbi në tavanin e makinës së oficerit të SHISH-it, Isa Çopa, ka shtuar dyshimet në pistën e vrasjes. Burime nga grupi hetimor thanë për “MAPO”-n se ndryshe nga ç’u mendua në fillim rreth një plasjeje të plumbit nga nxehtësia, shenja në makinë tregon se pistoleta “Makarov” e oficerit të SHISH-it është shkrepur nga vetë ai, në rrethana ende të paqarta. Pistoleta e Çopës i është nënshtruar ekspertizës, e bashkë me të edhe gëzhoja e gjetur pranë trupit të viktimës mbrëmjen e së hënës. Burime pranë grupit hetimor i thanë dje MAPO-s, se nga ana e specialistëve të SHISH-it që ndjekin këtë ngjarje është dhënë orientimi që të zbulojnë nëse shenjat në kafkën e oficerit mund të shkaktohen nga goditja me qytë pistolete apo jo. Ndërsa këto rrethana dhe fakte të gjendura në vendngjarje janë duke u analizuar dhe krahasuar nga grupi hetimor, burime bëjnë të ditur për MAPO-n se Shërbimi Informativ Shtetëror është angazhuar me të gjithë potencialin e vet të ekspertëve në pistën e vrasjes dhe të analizimit të motiveve të saj. Nisur nga dinamika e lëvizjeve të viktimës, ekspertët e SHISH-it janë duke hetuar në dy pista kryesore, atë të rrëmbimit në befasi dhe më pas eliminimit, si dhe në pistën tjetër, e cila mund të jetë futja në kurth nga ndonjë “pikë kontakti” që vetë shefi i kundërzbulimit mund të ketë shkuar për ta takuar. Të njëjtat burime kanë thënë dje për MAPO-n se hetimet nga ana e specialistëve të SHISH-it janë përqendruar kryesisht në aktivitetin e muajve të fundit të viktimës, pra në aktivitetin e tij si shef i kundërzbulimit të një prej qyteteve më të mëdha të vendit. “Një numër ekspertësh të SHISH-it dhe të drejtorive qendrore të Tiranës janë angazhuar dhe përfshirë në hetimet e kësaj çështjeje, ndërsa mësohet se pjesë e hetimit të vdekjes misterioze dhe të motiveve të saj janë bërë dhe ekspertët amerikanë, që asistojnë shërbimin shqiptar prej vitesh”, - i thanë MAPO-s burimet e mësipërme. Ditën e sotme pritet që prokuroria e Durrësit të marrë në dorëzim tabulatet telefonike të oficerit të SHISH-it, si dhe raportin e plotë dhe të detajuar mjeko-ligjor të trupit të viktimës. Nga ana tjetër, një element që ekspertët e SHISH-it kanë marrë në konsideratë ka qenë dhe pozicioni i trupit të viktimës, i cili u gjet në sediljen e pasme të automjetit. Duke qenë se viktima është gjetur me shenjë plage pas koke, dyshohet se trupi i tij mund të jetë zhvendosur për në sediljen e pasme, pasi është qëlluar me qytë pistolete në një moment të mëparshëm, kur viktima ndodhej në timon. Megjithatë, paralelisht me pistat e mësipërme, grupi hetimor është në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore për të ndarë njëherë e mirë dilemën nëse oficeri i SHISH-it u vra apo vrau veten.

SHISH heton pistën e vrasjes për shkak të detyrës

Ekspertë të shërbimit inteligjent, të angazhuar në vdekjen misterioze të kolegut të tyre

Vdekja misterioze e Isa Çopës nuk ka sesi t’i përjashtojë hetimet nga detyrat që ai ka mbajtur në shërbimin inteligjent. E ndërsa oficerët e policisë janë në pritje të ekzaminimeve dhe rezultateve përfundimtare nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, te të cilat shpresohet të marrë fund dilema e vrasjes apo vetëvrasjes së 49-vjeçarit, kolegët e Çopës në SHISH janë fokusuar te dosjet që ai ka ndjekur jo vetëm në detyrën aktuale, por edhe ato të mëparshmet. Hetimet mbi motivet e një vrasjeje të mundshme duket se janë objekt i punës së Shërbimit Informativ Shtetëror, ndërsa ky fakt konfirmohet dhe nga zyrtarë të policisë së Durrësit. “Ne nga ana jonë po presim të kryejmë të gjitha veprimet dhe krahasimet kriminalistike për ngjarjen, si pjesë e procesit të zbardhjes së saj. Pista e një vrasjeje për shkak të detyrës është ndër kryesoret, por edhe ndër më të vështirat. Kjo, për shkak të cilësive të viktimës si drejtues i kundërzbulimit në SHISH-in e Durrësit. Në këtë rrafsh hetimesh, policia ka pak akses, pasi me ligj ne e kemi të ndaluar të marrim informacione në lidhje me natyrën apo detaje të punës së viktimës. Ndaj për këtë pistë është duke hetuar vetë Shërbimi Informativ”, - bëjnë me dije burime të MAPO-s. Nga ana tjetër, hetimet në lidhje me vrasjen për shkak të detyrës janë kanalizuar në tri drejtime, të cilat përbëjnë edhe profilin 11-vjeçar si oficer të SHISH-it, të Isa Çopës. Përpara se të merrte kreun e zyrës së Kundërzbulimit për Durrësin, Çopa ka punuar në degën e Antiterrorit si dhe në atë të Antidrogës. Puna e bërë prej tij në të tria këto detyra është marrë në “sitë” tashmë nga kolegët e tij të SHISH-it, në përpjekje për të gjetur dhe zbuluar se “kujt dhe kur” mund t’i ketë shkelur në kallo aktiviteti si oficer i SHISH-it.

Bashkëshortja: Isai nuk vuante nga depresioni

“Me përgjegjësinë e një bashkëshorteje, që në çdo moment ka qenë pranë tij, por duke u mbështetur dhe në intuitën time femërore, dua të qartësoj gjithkënd se Isai nuk ka pasur as shenjën më të vogël të depresionit. Përkundrazi, deri në momentet e fundit është sjellë më se normal dhe ka qenë në humor të mirë”, - tha e shoqja për MAPO-n, duke hedhur poshtë një vetëvrasje të mundshme për shkak të depresionit. Pyetjeve mbi rrethanat e ngjarjes, dyshimet e saj apo ndonjë koment lidhur me detyrën e të shoqit, Arta Çopa u është përgjigjur prerë: “Jam në pritje të punës dhe rezultateve të organeve kompetente shtetërore, që po merren me rrethanat e vdekjes së bashkëshortit tim”. Familjarët përmendin mbrëmjen e së dielës, të cilën Isai e kishte kaluar në shtëpi me të shoqen dhe djalin 16-vjeçar, duke parë “Portokallinë”, qeshur me batutat dhe shkëmbyer humor me njëri-tjetrin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›