Bare në Gjykatë të Lartë: Më lironi nga burgu
Avokati i kreut të bandës së Lushnjës, Vladimir Meçi, kërkon në Gjykatën e Lartë lirimin e klientit të tij. Prokuroria bën rekurs: Çështja të gjykohet në Apel
Tiranë Pas vendimit të Apelit, që ktheu për rigjykim çështjen e Aldo Bares, avokati i tij mbrojtës i kërkon Gjykatës së Lartë pushimin e gjykimit dhe lirimin e klientit të tij për tejkalim afatesh. Kërkesa është depozituar dje në Gjykatën e Lartë nga avokati Vladimir Meçi, por edhe Prokuroria ka vendosur të bëjë rekurs, duke i kërkuar gjykatës kthimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, me një trupë tjetër gjyqësore. Avokati, pasi ka konsumuar ankimin në Apel, tashmë synon zgjidhjen e çështjes në shkallën më të lartë të gjyqësorit, ku pritet të shqyrtohet kërkesa për pushimin e këtij gjykimi penal për një sërë shkeljesh të evidentuara. Ndër shkeljet kryesore në kërkesën e avokatit renditet kryerja e veprimeve pas tejkalimit të afatit të parashikuar në ligj dhe mosnjoftimi i veprimeve hetimore të pandehurit Bare, i cili asokohe ndodhej i arrestuar në Turqi. Por edhe Prokuroria, në rekursin e saj drejtuar Gjykatës së Lartë, synon të mos e kthejë çështjen për rigjykim në Gjykatën e shkallës së parë për Krime të Rënda, por në Gjykatën e Apelit, ku çështja mund të ishte zgjidhur nga kjo gjykatë. Kjo kërkesë pritet të vihet përballë rekursit të avokatit mbrojtës, i cili kërkesën e tij e ka bazuar mbi disa precedentë të mëparshëm, kur gjykata ka vendosur pushimin e gjykimit për shkak të tejkalimit të afateve hetimore. Avokati argumenton se ndaj Aldo Bares është kryer një proces i parregullt ligjor nga Prokuroria. Sipas avokatit, klientit të tij nuk i është komunikuar akuza në kohën që ndodhej në Turqi në pritje të ekstradimit, si dhe janë kryer veprime përtej afateve hetimore. Në rekursin drejtuar Gjykatës së Lartë avokati mbrojtës ka radhitur edhe shkelje të tjera proceduriale të kryera gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar ndaj Aldo Bares, i cilësuar si kreu i “Bandës së Lushnjës”. Aldo Bare u dënua me burgim të përjetshëm nga Krimet e Rënda, të cilët e shpallën atë fajtor për të paktën pesë vrasje. Avokati apeloi vendimin duke renditur një sërë shkeljesh procedurale të kryera gjatë procesit hetimor dhe atij gjyqësor. Gjykata e Apelit vendosi të kthejë çështjen për rigjykim, edhe pse pak ditë para këtij vendimi një tjetër trup gjykues kishte pushuar akuzën e vrasjes së Xhevat Demirit për të pandehurit e tjerë të “Bandës së Lushnjës”, akuzë që i dha burgimin e përjetshëm Aldo Bares. Me këtë vendim nuk është pajtuar as avokati mbrojtës dhe as përfaqësuesi i Prokurorisë, pasi të dy kanë vendosur t’i drejtohen Gjykatës së Lartë. L.Bakillari