Fier, digjen nga flakët 30 hektarë me ullinj
Gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit, punonjësit e zjarrfikëses nuk kishin karburant për të shkuar në vendngjarje
FIER Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat e mbjellë me ullishta të Levanit. Flakët janë diktuar rreth orës 15: 00 të ditës së enjte. Të ndihmuara edhe nga era, ato kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme duke shkrumbuar ullinj si dhe shkurre. Banorë të zonës janë përpjekur të shuajnë vatrat e shumta të zjarrit Por përpjekjet kanë qenë të kota. Flakët dhe tymi të shpërndarë përgjatë kodrës kanë vështirësuar për disa çaste edhe qarkullimin rrugor të automjeteve në aksin Fier-Vlorë. Era që ka mbizotëruar gjatë rënies së zjarrit ka favorizuar flakët të përhapen me shpejtësi. Sipas fermerëve të pranishëm në përpjekjet për të evituar flakët, sipërfaqja e djegur me ullishte llogaritet në rreth 30 ha. Zjarrfikësit e lajmëruar kanë mbërritur në vendngjarje dhe janë përpjekur të mbajnë nën kontroll situatën duke hedhur edhe tonelata me ujë. Por duhet theksuar se edhe reparti i zjarrfikëseve ka hasur në të tjera vështirësi. Kriza e mungesës së karburanteve ka bërë që mjetet e zjarrfikëseve të niseshin me vonesë për në vendngjarje, Vetë përgjegjësit e këtij reparti si dhe zjarrfikësit kanë mbushur mjetet me karburant me të hollat e familjeve të tyre. Mendohet paraprakisht se zjarri është vënë me qëllim. Kjo për shkak të natyrës së flakëve në disa vatra njëherësh, por edhe faktit se kjo kodër dhe kjo sipërfaqe me ullishtë për vit përfshihen nga flakët që djegin gjithçka, përfshi edhe ullinjtë. Asnjëherë policia nuk ka vënë para bankës së të akuzuarve persona për zjarrvënie me qëllim në rajonin e Fierit. I vetmi rast i paditur prej policisë ishte një shtatëdhjetëvjeçare në qytetin Lushnjës, që u denoncua në prokurori për zjarrvënie të qëllimshme, për shkak se kur digjte plehrat e shtëpisë i vuri zjarrin kodrës me ullishta në këtë qytet.