Trafiku me ekipin e pingpongut, lirohet pronari i argjendarisë
Gjykata e Tiranës lë në burg sekretarin e përgjithshëm të Federatës, Arben Sorra, por liron të akuzuarin si bashkëpunëtor të tij. Rrëfimi i Sukajt në prokurori: E kam ndihmuar Sorrën, s’kam marrë asnjë lek
Tiranë Gjykata e Tiranës ka vendosur të lirojë njërin nga dy të arrestuarit si të përfshirë në trafikun e klandestinëve të “maskuar” si sportistë pingpongu. Vendimi është dhënë ditën e djeshme nga i njëjti gjyqtar që pak ditë më parë kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj sekretarit të Përgjithshëm të Federatës së pingpongut dhe të akuzuarit si bashkëpunëtor i tij, të përfshirë në aferën e trafikut të klandestinëve. Vendimi për lirimin e të arrestuarit Çlirim Sukaj pritet të arsyetohet në ditët në vijim, edhe pse nuk ka ndryshuar asnjë kriter nga vendimi i mëparshëm, kur gjyqtari kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë. Gjatë seancës së djeshme, në sallën e gjyqit janë paraqitur sekretari i Federatës së pingpongut, Arben Sorra, dhe bashkëpunëtori i tij Çlirim Sukaj, të arrestuar katër ditë më parë në akuzën e korrupsionit aktiv dhe pasiv. Të arrestuarit janë njohur me masën e sigurisë të caktuar ndaj tyre në mungesë dhe akuzat që dyshohet se kanë konsumuar. Pas përfundimit të seancës, që u zhvillua paraditen e djeshme, gjyqtari i çështjes ka caktuar orën 14:00 për shpalljen e vendimit dhe më pas ka vendosur të lirojë Çlirim Sukajn. Sipas burimeve, mësohet se gjatë marrjes në pyetje Sukaj, pronar i një argjendarie dhe i arrestuar më parë për tragjedinë e 9 Janarit, ka pohuar përfshirjen e tij në aferën e klandestinëve që do të dërgoheshin drejt Kanadasë si përfaqësues të ekipit kombëtar të pingpongut. Duke dëshmuar për policinë, Sukaj ka thënë se përfshirja e tij në këtë skemë ka ardhur si ndihmë për sekretarin e Federatës së pingpongut, Arben Sorra. Sukaj ka deklaruar se është angazhuar në gjetjen e njerëzve që dëshironin të shkonin në Kanada, kundrejt pagesës dhe ka marrë prej tyre shuma parash që varionin nga 5 deri në 11 mijë euro. Por gjithashtu, i arrestuari ka thënë se të gjitha paratë që ka marrë ia ka dorëzuar Arben Sorrës, duke mos përfituar asnjë lek për vete. Ky rrëfim i të arrestuarit duket se ka lehtësuar pozitën e tij në raport me hetimin, çka mund të ketë sjellë edhe lirimin e tij nga salla e gjyqit. Burimet thanë se vijojnë hetimet për këtë çështje, ku dyshohet se janë të përfshirë edhe persona të tjerë. Prokuroria ka kërkuar zyrtarisht të administrojë në cilësinë e provës listën me emrat e personave që do të paraqiteshin në Kanada si përfaqësues të ekipit kombëtar të pingpongut, gjatë aktivitetit që do të zhvillohej në shtator të këtij viti. Kjo listë e hartuar nga sekretari i Federatës i është përcjellë Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, ndërsa kjo e fundit e ka dorëzuar atë në konsullatën kanadeze në Romë. Pasi ka kryer verifikimet, konsullata nuk ka miratuar dhënien e vizave për “sportistët” e propozuar nga Federata e pingpongut, duke dekonspiruar kështu planin e të arrestuarve. Pas këtij vendimi, personat që kishin paguar paratë për të shkuar si sportistë drejt Kanadasë kanë kërkuar kthimin e të hollave dhe në fillim të këtij muaji disa prej tyre kanë rimarrë paratë e paguara.
Denoncuesit: Paguam deri në 15 mijë euro
Të pyetur nga policia, klandestinët kanë pranuar se kanë paguar shuma që variojnë nga 5 deri në 15 mijë euro, për të shkuar në Kanada nëpërmjet ekipit të pingpongut. Po ashtu “sportistët” kanë sqaruar me detaje rrugën që kanë ndjekur dhe personat më të cilët kanë kontaktuar, duke vështirësuar kështu pozitën e të pandehurve. Sipas prokurorisë, Arben Sorra dhe Çlirim Sukaj dyshohet se kanë konsumuar veprat penale korrupsion pasiv dhe aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike, akuzë për të cilën do të hetohen pas arrestimit. Ndërsa lirimi i djeshëm i Sukajt ka lënë vetëm përballë akuzës sportistin e njohur Arben Sorra.