Arrestohet 30-vjeçari, ishte në kërkim për tentativë vrasjeje
Durrës – Forcat e policisë së Durrësit kanë ndaluar 30-vjeçarin Ervis Kasa, lindur dhe banues në Durrës, pasi ndaj tij ekzistonte një urdhër i posaçëm nga gjykata e këtij qyteti. Kasa ishte në kërkim për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë, për një ngjarje të ndodhur dy muaj më parë. Ai kishte kohë që i fshihej drejtësisë shqiptare, por dje ka marrë fund edhe arratia e tij, pasi duhet të përgjigjet për veprën penale të kryer.
Ngjarja
Burime policore thanë për gazetën “Albania” se dyshohet se ai ka kryer veprën penale të “Vrasjes me dashje mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve” të parashikuar nga nenet 76 e 22 , 25 dhe 2782 të Kodit Penal. Arrestimi i tij bazohet në ngjarjen e ndodhur në muajin korrik të këtij viti, në afërsi të vendit të quajtur Vila e Zogut, ku pas një konflikti të çastit, është qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur Besnik Kulla, i ndaluar nga policia pas një sherri me disa të rinj më datë 11.06.2008, rreth orës 24:00, në lagjen Nr. 1, në afërsi të lokal “Riviera”. Të dyshuar si autorë të plagosjes së Kullës janë Ervis Kasa, Ervis Tafaruçi dhe Indrit Shtrazës. Ky person është kapur nga autoritetet e policisë greke dhe u dorëzua në vendkalimin kufitar të Kapshticës.
Rasti
Po për vrasje të mbetur në tentativë u ekstradua pak kohë më parë nga Roma, Itali, drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Denis Balliu, 37 vjeç, po nga Durrësi. Balliu ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 234, datë 07.03.2007, ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale të “vrasjes me dashje mbetur në tentativë” të parashikuar nga nenet 76-22 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. I ekstraduari akuzohet se më datë 10.02.2007, në një lokal tek Rruga e Kavajës, në Tiranë, ka tentuar të vrasë shtetasin Daniel C.
8 Shtator 2009