E Diel, 1 Nëntor 2026

Thumanë, zjarri shkrumbon 4 banesa

 

Roland Nikolli/ KRUJE

Zjarri i shkaktuar nga një shkëndijë elektrike shkrumbon katër banesa në Thumanë të Krujës. Gjithçka ka ndodhur paraditen e djeshme kur flakët përfshinë katër banesat që ndodheshin pranë njëra-tjetrës, ndërsa për pasojë, 25 persona, anëtarë të katër familjeve kanë mbetur të pastrehë, pasi shtëpitë e tyre janë shkrumbuar tërësisht. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Krujës zjarri ka rënë në një banesë, ku nuk kishte njeri në momentet e shpërthimit të tij, ndërkohë flakët janë përhapur shumë shpejt, duke djegur edhe tre banesat, të cilat kishin çati të përbashkët. Sipas policisë banesat u përkisnin shtetasve Hamdi Jangozi, Durim Haxhia, Pashk Deda dhe Fiqiri Kapo. Fillimisht zjarri ka rënë në banesën e Hamdi Jangozit, i cili pohoi dje se: "Isha në punë kur më lajmëruan fqinjët se shtëpia ime ishte duke u djegur. Erdha në një kohë me zjarrfikësit. Në banesë nuk kisha asnjë njeri dhe për pasojë çdo gjë është djegur plotësisht. Të njëjtin dëm kanë pësuar edhe tre fqinjët e mi që kanë pasur shtëpitë ngjitur me mua. Ndërkohë sipas informacioneve që kam unë, zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike fillimisht në tavanin e shtëpisë e më pas është përhapur shumë shpejt. Me gjithë përpjekjet e zjarrfikësve për ta shuar atë, nuk është bërë e mundur një gjë e tillë. Por fatmirësisht zjarri është izoluar nga ana e zjarrfikësve, pasi numri i shtëpive që mund të digjeshin do ishte shumë më i madh. Kjo për faktin se banesat në lagjen tonë janë shumë afër njëra-tjetrës". Ndërkohë kreu i Mbrojtjes Kundër Zjarrit në Krujë Kapllan Guni tha: "Sapo morëm njoftimin se kishte rënë zjarr në disa banesa në Thumanë u nisëm për në vendin e ngjarjes së bashku me dy zjarrfikëse të Krujës. Pas ndihmës së kërkuar nga ne erdhi nga Laçi një automjet zjarrfikës, si dhe një autobot me ujë i një firme private që punonte në Thumanë. Zjarri është përhapur shumë shpejt, pasi çatia e banesave ka qenë me kallamishte, si dhe trarët dhe dërrasat kanë qenë plotësisht të dehidratuara. Kjo për faktin se janë ndërtuar shumë vite më parë. Po kështu sipas specialistëve zjarrfikës zjarri nuk ka ardhur nga poshtë, por dyshohet se ka nisur në tavan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›