Pranga 7 personave, mes tyre një grabitës
Disa persona, nga të cilët njëri i akuzuar për vjedhje me armë, u arrestuan gjatë 24 orëve të fundit nga forcat e Policisë së Tiranës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut bënë të ditur sot se specialistët e Seksionit kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë, arrestuan 18-vjeçarin Gazmir Karoshi, me precedentë të mëparshëm penalë, pasi ka dyshime të forta se është autor i vjedhjes me armë të një shtetasi në Kodër Kamzë. Me të njëjtën akuzë janë arrestuar shtetasit Vitri Perzhita, 29 vjeç dhe Dritan Haspeta, 20 vjeç, të dyshuar përkatësisht për një tentativë vjedhje të një qendre lojërash fati dhe një automjeti tip kamion. Gjithashtu, në zona të ndryshme të Tiranës, janë arrestuar në kushtet e flagrancës me armë pa lejë, shtetasit Gëzim Bajrami, 39 vjeç, Florand Karamani, 33 vjeç si dhe një 17- vjeçar. Po ashtu, edhe specialistët e Seksionit kundër Drogës arrestuan dje në kushtet e flagrancës me 24.6 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, 32-vjeçarin Fatos Domi, banues në Tiranë.
Zjarret
Digjen disa banesa Krujë dhe Tiranë, 10 ha pisha në Rubik
Tre zjarre përkatësisht në Rubik, Thumanë dhe Tiranë, kanë djegur 5 shtëpi dhe rrezikuar 28 të tjera. Një zjarr i fuqishëm i nisur që prej orëve të vona të mbrëmjes së të premtes vazhdon të djegë sipërfaqe të mëdha me pisha artificiale në periferi te qytetit te Rubikut, përkatësisht në fshatin Arisht. Nga të dhënat mësohet se janë djegur totalish 10 ha me pisha dhe 28 banesa kërcënohen rreziku i përfshirjes nga flakët. Tjetër zjarr i fuqishëm ka rënë dje paradite në zonën e Thumanës së Krujës, duke shkaktuar dëmtime të mëdha materiale. Flakët e zjarrit përpinë 4 banesa të fshatit Thumanë. Sipas të dhënave të tyre, faktori që i ka nxitur më shumë flakët ka qenë era e fuqishme gjatë orëve të paradites, i shoqëruar ky me një djegie komplete të 4 banesave, por për fat të mirë nuk ka asnjë të lënduar. Zjarri i tretë ka djegur plotësisht një shtëpi dykatëshe në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë, por fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz. Forcat zjarrfikëse, mbështetur nga forcat e rendit, bënë evakuimin e banorëve të zonës dhe më pas izolimin dhe shuarjen e plotë të flakëve të zjarrit.
8 Shtator 2009