Arrestohet 31-vjeçari, dhunoi infermieren në mjediset e spitalit
KRUJË – Sërish dhunë ndaj bluzave të bardha gjatë ushtrimi të detyrës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se mbrëmjen e dy ditëve më parë, rreth orës 23:30 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Albert Berhami, lindur dhe banues në Krujë. Sipas tyre, arrestimi i 31-vjeçarit është bërë për arsye se të njëjtën ditë, rreth orës 18:30, ai ka goditur me grushte, për motive të dobëta, në mjediset e Spitalit të Krujës shtetasen me inicialet N.K., që punonte infermiere. Burimet bëjnë të ditur se 50-vjeçarja që ishte në shërbimin e turnit gjatë momentit të ushtrimit të dhunës, banore në Kruje, ka pësuar dëmtime në krah dhe në kofshë. Infermierja ka bërë menjëherë denoncimin në drejtim të agresorit, gjë që ka sjellë mbërritjen e forcave të rendit në spitalin e qytetit. Sipas zëdhënëses së Policisë së Qarkut të Krujës, 31-vjeçari Berhami ka kundërshtuar edhe patrullën e përgjithshme të policisë gjatë kohës kur kjo e fundit ka shkuar për të bërë shoqërimin e tij në komisariat. Policia ka kryer veprimet procedurale dhe dosja pritet të kalojë në prokurorinë e rrethit Krujë për hetime të mëtejshme pasi shtetasi Albert Berhami akuzohet për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtim të punonjësve të policisë rendit”.
SHKURT
Hetime për policin e burgut, kërcënoi qytetarin me pistoletë
DURRËS– Policia ka nisur një procedim penal në gjendje të lirë në ngarkim të 37-vjeçarit Agron Hasa, lindur në Kavajë dhe banues në Durrës. Burimet policore konfirmojnë se Hasa, i cili figuron edhe si punonjës policie në Burgun e Rrogozhinës, për motive të dobëta ka kanosur dy ditë më parë, duke qëlluar në ajër me armë zjarri tip pistoletë, të cilën e kishte me leje për shkak të detyrës, 38-vjeçarin Sokol I., lindur në Pukë dhe banues në Durrës. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në zonën e ish-Kënetës në periferi të qytetit të Durrësit dhe në vendngjarje, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre gëzhoja, ndërsa bëhet me dijeni se materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “Kanosjes dhe prishjes së rendit e qetësisë publike”.
Ndalohet mituri, vodhi kompjuterin e shkollës 9-vjeçare
MALIQ – Një i mitur është shoqëruar në polici, pasi ka marrë një kompjuter në shkollën nëntëvjeçare të qytetit. Burimet zyrtare të Policisë bëjnë të ditur se disa ditë më parë, në qytetin e Maliqit ishte vjedhuri shkolla 9- vjeçare e këtij qyteti, në të cilën ishte marrë një kompjuter Laptop. “Pas hetimeve të kryera është bërë e mundur që pasditen e së mërkurës të zbulohet autori i kësaj vjedhje, i cili është shtetasi M. P, 16 vjeç, lindur e banues në qytetin e Maliqit”, - thonë burimet policore, sipas të cilave ka nisur hetimi në gjendje të lirë për të për shkak të moshës së mitur.
Prangoset i kërkuari nga drejtësia për falsifikim dokumentesh
GJIROKASTËR– Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë bërë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit të lëshuar nga prokuroria të para dy viteve për të dënuarin dhe të shpallurin në kërkim, 28 vjeçarin Bektash Hoxhaj, lindur dhe banues në Vlorë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ky person ishte shpallur në kërkim nga policia që prej vitit 2007, pasi gjykata e kishte dënuar me 4 muaj burg për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal. Ky person është kthyer në Shqipëri nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kakavijës dhe në momentin e hyrjes është kapur nga shërbimet e policisë kufitare të Kakavijës.
30 Tetor 2009