E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e dëshmitarëve, dështon procesi ndaj vrasësit të dy policëve



Laureta Rryçi

Procesi gjyqësor ndaj Afrim Hasanit që akuzohet për ekzekutimin e dy policëve sërish nuk është zhvilluar as ditën e djeshme. Shkak edhe këtë herë u bë mungesa e dëshmitarëve, të cilët nuk janë paraqitur në sallën e gjyqit me gjithë fletë-thirrjet e dërguara nga Tirana për në Kukës. Për të zgjidhur këtë ngërç, Gjykata e Krimeve të Rënda ka urdhëruar shoqërimin e detyrueshëm për disa prej tyre. Këtë vendim duhet ta zbatojë komisariati i Kukësit. Hasani akuzohet për disa vepra penale, por më e rënda ndër to është vrasja e dy punonjësve të policisë pak muaj më parë.
Vendimi
Në mbështetje të nentit 357/2 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata e Tiranës revokoi dje vendimin për thirrjen, në cilësinë e dëshmitarëve, për shtetasit Islam Bajram Tusha, Arif Rexhep Rexhepi dhe Ramiz Ali Coti, si të panevojshëm për këtë gjykim. Ndodhur në kushtet, kur nuk janë paraqitur dëshmitarët e njoftuar nga ana e kësaj gjykate, u përsërit njoftimi me anë të Komisariatit të Policisë Kukës për dëshmitarët Jetmir Ymeri dhe për shtetasit Alketa Hasanaj, Besnik Meta, Ajet Hila, Genc Avdia dhe Adriana Brija. Gjithashtu, i drejtohet këtij komisariati për shoqërimin e detyrueshëm të dëshmitarit Mentor Isuf Hilaj. Në këto kushte konform ligjit Gjykata vendosi ta ndërpriste seancë gjyqësore dhe e shtyu atë për një datë tjetër. Për të mundësuar njoftimin e dëshmitarëve, seanca e ardhshme gjyqësore u la për në datën 12.11.2009.
Dosja
Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kryeqytet iu deshën 35 ditë kohë për të mbyllur fazën hetimore dhe për ta dorëzuar dosjen penale me të pandehurin Afrim Hasani në gjykatë. Ndaj Hasanit rëndojnë pesë vepra penale, mes tyre vrasja e dyfishtë e policëve Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila. Sipas burimeve zyrtare, konfirmohet se prokurori Ardian Nezha, pas analizës së fakteve dhe provave të mbledhura për këtë çështje, vendosi mbylljen e hetimit dhe dorëzimin e dosjes pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Sipas kërkesës për gjykim, e hartuar nga akuza, mësohet se për të provuar pesë akuzat e ngritura ndaj Hasanit, prokuroria, përveç provave të mbledhura, do të kërkojë pyetjen në gjykatë edhe të 19 dëshmitarëve të thirrur nga pala e akuzës. Po ashtu, pritet të kërkojë leximin edhe të dy deklarimeve të viktimave; Dobrushi e Hila të dhëna një javë para vrasjes së tyre në Prokurorinë e Kukësit. Këta të fundit kishin denoncuar Afrim Hasanin për veprën penale të "kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë". "Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se i pandehuri Afrim Hasani, ishte me precedentë penal që nga kthimi i tij nga Finlanda në fund të vitit 2007, ku kishte qëndruar atje emigrant për disa vite. Pas kthimit nga emigracioni, autori i vrasjes së dy efektivave të policisë jetonte me gruan dhe dy vajzat e mitura në fshatin Petkaj të Kukësit. Me t'u kthyer në vend, ai është akuzuar dhe më pas dënuar me 4 muaj burg për "falsifikim të akteve të gjendjes civile". Pas daljes nga burgu, ai është njohur si konsumator i alkoolit,- thuhet në kërkesën për gjykim. Gjatë një kontrolli të bërë nga ana e policisë, Afrim Hasani iu është kundërpërgjigjur me zjarr, duke lënë të vdekur në vend dy efektivat e rendit.

Kush është Afrim Hasanaj

Afrim Hasanaj, ka lindur më 8 nëntor 1975. Banues në fshatin Petkaj-Shëmri, Komuna Mal-Zi të rrethit Kukës, me arsim tetë klasë, i dënuar më parë, me gjendje civile i martuar me dy fëmijë, akuzohet se ka kryer veprat penale të: "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, ndaj punonjësve të policisë dhe ndaj kallëzuesit Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila; "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake"; "Kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë" Shkëlzen Dobrusha dhe Ramadan Hila si dhe "Shkatërrimin e pronës".

Kostoja e udhëtimit pengon dëshmitarët për të ardhur në gjyq

Jo pak procese në Gjykatën e Krimeve të Rënda mbeten për shumë kohë në fazën e dëshmitarëve të akuzës. Shkak për këtë bëhet mos prezenca në ditën e seancës të dëshmitarëve. Për shkak se ngjarjet kanë ndodhur në qytete të largëta nga kryeqytetit, mjaft dëshmitarë nuk zbatojnë fletë –thirrjet e Gjykatës për shkak të kostos së udhëtimit që u duhet të shpenzojnë për të ardhur në sallën e gjyqit. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda tashmë ky problem është kthyer në fenomen për shumë procese të bujshme. Palët në proces shprehen se derisa kjo kosto nuk do të merret përsipër nga shteti, ky fenomen do të vazhdojë të ekzistojë duke u renditur si nga shkaktarët për shtyrjen e seancave gjyqësore.

30 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›