E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë: Dosja për Aldo Baren është nisur për në Stamboll

Reagimi i këtij dikasteri vjen pas vendimit të Gjykatës për të shtyrë procesin. Aldo Bare gjykohet veçmas në këtë dosje për një sërë akuzash për vrasje

Laureta Rryçi
Ministria e Drejtësisë ka reaguar dje pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për të shtyrë edhe tre muaj të tjerë nisjen e procesit gjyqësor. Sipas njoftimit për shtyp nga ky dikaster, autoritetet përkatëse kanë realizuar përcjelljen e të gjithë praktikës së dokumentacionit në referencë të çështjes penale në ngarkim të shtetasit Aldo Bare. Po sipas këtij njoftimi, letër-porosia është përcjellë që në datën 28 korrik të këtij viti. “Gjykata e Tiranës, në datën 21.07.2009, i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë përcjelljen e letër-porosisë në drejtim të Gjykatës për Sigurinë e Shtetit në Stamboll, ku kërkonte dokumentimin e dhënies së pëlqimit mbi përfaqësim në gjykim dhe mbi zgjedhjen e mbrojtësit nga ana e të akuzuarit Aldo Bare”, - thuhet në reagimin zyrtar. Më tej shpjegohet se pas realizimit të përkthimit kjo letër-porosi është dërguar urgjentisht në rrugë diplomatike në drejtim të autoriteteve turke të Drejtësisë. Në këtë mënyrë, kjo ministri ka dashur të hedhë poshtë versionet që ajo është pengesë për mbarëvajtjen e procesit gjyqësor.
Vendimi
Ministria e Drejtësisë ka kohë tre muaj për të ekzekutuar një letër-porosi për llogari të Aldo Bares, kreut të bandës së Lushnjës. Gjyqi i planifikuar të fillonte gjatë seancës së dy ditëve me parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, është shtyrë për një periudhë 3-mujore për shkak se afati i lënë një seancë më parë duket se ka qenë i pamjaftueshëm për specialistët që merren me procedurat e letër-porosive. Gjyqtarja Fatmira Hajdari, gjatë seancës, shpjegoi se shkak për këtë vendim është bërë moszbatimi i letër-porosisë nga Ministria e Drejtësisë për të njoftuar të pandehurin që ndodhet i arrestuar në Ankara. Në këtë letër-porosi Aldo Bare do të vendosë nëse do të zhvillohet procesi në mungesë të tij dhe nëse do të zgjedhë vetë avokatin apo dëshiron t’i caktojë një avokat kryesisht shteti.
Akuzat
Prokuroria ndaj Aldo Bares ka ngritur akuzat e "vrasjes me paramendim, më shumë se një herë" edhe si vrasës. Ndërkohë ka kryer veprat penale si urdhërdhënës për akuzat e "shkatërrim të pronës me zjarr", "vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë", "dhunim të varreve", "vjedhje me dhunë në bashkëpunim" dhe "krijim të organizatave kriminale dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të organizatës". Aldo Bare akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si organizatori dhe drejtuesi i bandës së Lushnjës, e cila akuzohet për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, ndër to, disa vrasje të ndodhura vite më parë në Shqipëri. Aktualisht, Aldo Bare ndodhet i arrestuar në Turqi, ndërsa autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e tij në vendin tonë. Disa nga të pandehurit e kësaj bande tashmë janë dënuar nga Drejtësia, ndërsa të tjerë janë nën procedimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda.

30 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›