E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet 41-vjeçari, po trafikonte dy vajza të reja

Operacioni
U ndalua në pikën kufitare të Morinit, duke ikur për në Kosovë

Një 41-vjeçar nga Tirana, i dyshuar si trafikant dhe shfrytëzues femrash për prostitucion, ka përfunduar në prangat e policisë. Ai është kapur gjatë një operacioni të përbashkët mes policisë së Tiranës dhe asaj të Kukësit. Burimet zyrtare bënë të ditur se është zhvilluar operacioni policor, i koduar “Tërthorja”, në kuadër të së cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Përparim Kaçi, 41 vjeç, banues në fshatin Domje, Tiranë, nën akuzën e kryerjes së veprës penale “Trafikim i femrave për qëllime shfrytëzimi prostitucioni”. Arrestimi i këtij shtetasi është bërë pasi akuzohet se ka shfrytëzuar në mënyrë sistematike për prostitucion në qytetin e Tiranës, në hotele të ndryshme, dy shtetase, përkatësisht E.S., 18 vjeçe dhe M.M., 22 vjeçe, dhe më pas ka tentuar t’i trafikojë ato në drejtim të Kosovës, për t’i shfrytëzuar sërish për prostitucion. Ky shtetas është kapur në flagrancë në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinit, pas një hetimi intensiv të strukturave për hetimin e krimit, në momentin që po përpiqej të trafikonte dy shtetaset e sipërpërmendura. Nga hetimet e deritanishme është bërë i mundur dokumentimi ligjor i kësaj vepre penale, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për dokumentimin në tërësi të aktivitetit kriminal të këtij personi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›