Policia zbulon itinerarin: Si e çau rrethimin vrasësi
Korçë
Mendohet të jetë ndihmuar nga një i afërmi i tij për të ikur nga Devolli në Krujë
Pasi ka vrarë tre vëllezërit Mulliri, Besimi ka qëndruar për rreth 20 minuta në vendin e ngjarjes. Ai është kthyer në shtëpinë e tij, ku para se të largohej është takuar me fëmijët dhe gruan. “E vura nderin në vend. Tani mos më prisni. Jeta ime u mbyll këtu”, mësohet t’u ketë thënë ai të afërmve.
Pasi ka puthur fëmijët, Besim Karaj është larguar për t’i shpëtuar kapjes nga ana e policisë. Ai ka lënë në shtëpi celularin dhe është nisur për rrugë. Mësohet se fillimisht është nisur në drejtim të kufirit, pasi terreni ishte i njohur për të. Policia ka gjetur gjurmë të tij deri në një distancë prej 300 metrash në thellësi të tokës greke, më pas gjurmët janë ndërprerë dhe sipas të dhënave të policisë mendohet se është kthyer në një rrugë në anën e majtë të lëvizjes së tij. Kjo ka bërë që uniformat blu korçare të njoftojnë dhe kërkojnë ndihmën e palës greke për shtrirjen e kërkimeve përtej kufirit. Një ditë pas operacioneve të shumta të kërkimit në të dyja anët e kufirit, ka qenë pala greke që ka komunikuar për palën shqiptare se Besim Karaj me shumë gjasa ishte kthyer në vendin e tij, pasi kishte konstatuar prezencë të policisë në gjithë zonën. Edhe pse nuk dihet ende se si ka mundur autori të kthehet në tokën shqiptare, burime të sigurta të policisë bëjnë të ditur se dyshimet për një kthim të mundshëm të Besim Karajt në fshat janë shtuar kur në orët e mbrëmjes në Vidohovë ka mbërritur vëllai i tij nga Thumana. Policia dyshon se në orët e natës, duke përfituar nga errësira, Besimi mund të jetë kthyer dhe mund të ketë qenë në zonë për t’u takuar me vëllain e tij. “Që nga momenti kur policia është njoftuar për prezencën e vëllait të autorit, në fshat janë marrë masa dhe është sinjalizuar policia e Durrësit për të bërë të mundur mbajtjen nën mbikëqyrje të banesës së vëllait të tij, pasi autori mund të ndihmohej prej tij dhe mund të strehohej më pas në banesën e ndodhur në fshatin Thumanë. Nga ana tjetër, edhe vëllai i viktimës është marrë në pyetje nga ana jonë, ashtu siç janë pyetur edhe të afërmit e tjerë”, tha për “Shqip” një burim policor. I njëjti burim shton se autori i masakrës së Vidohovës, Besim Karaj, mund të ketë shfrytëzuar një tjetër zonë për të ikur gjatë natës. Policia dyshon se ai është nisur më këmbë dhe më pas është pritur dhe ndihmuar për të lëvizur nga një mjet, edhe pse vetë autori ka deklaruar se ka ecur më këmbë për tri ditë. Fakti se terreni është tepër i thyer dhe trashësia e dëborës ka arritur deri në 40 cm, distanca e madhe e fshatit nga qyteti i Bilishtit, dyshohet se autori ka përdorur një tjetër shteg dhe është ndihmuar nga një mjet lëvizës për transportimin e tij. Sipas policisë, këto dyshime shtohen për faktin se një i kërkuar në kushtet e stresit psikologjik, të lodhjes fizike dhe të mungesës së ushqimit, nuk do të mund të ecte kaq gjatë më këmbë, e për më tepër pa u pikasur nga asnjë forcë policore dhe asnjë dëshmitar. Sipas burimeve të mirinformuara, Besim Karaj ka udhëtuar në rrugën Gramsh-Elbasan, një aks jo fort i rrahur, për t’u shpëtuar kontrolleve policore dhe kapjes së tij.
#